
Komisioni Europian ka reaguar për protestat që prej gjashtë ditësh po zhvillohen në Shqipëri, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke theksuar se reagimi i autoriteteve duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional me situatën.
Në deklaratën e tij, Brukseli dënon incidentet e regjistruara në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.
Deklarata
Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të jetë proporcional.
Përgjegjësit duhet të mbahen para drejtësisë, përmes një procesi të rregullt ligjor.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar mbrojtjen e së drejtës për të protestuar. Në një vend kandidat që është plotësisht i angazhuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore. (A2 Televizion)