
Vullkani Etna në Siçili ka shpërthyer sërish të dielën, duke lëshuar një re të madhe hiri që u përhap mbi zonat përreth dhe shkaktoi ndërprerje të trafikut ajror në aeroportin e Katanias.
Autoritetet e aeroportit njoftuan se hapësira ajrore në zonë u kufizua ndjeshëm deri në orën 19:00 sipas orës lokale, duke ndikuar si në nisjen ashtu edhe në uljen e avionëve. Si pasojë, disa fluturime u vonuan ose u pezulluan përkohësisht për arsye sigurie, shkruan A2CNN.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali (INGV), aktiviteti vullkanik nisi herët në mëngjes, kur u regjistruan emetime hiri nga një vrimë në majën e vullkanit.
Më vonë gjatë ditës, shpërthimi u intensifikua, duke formuar një kolonë hiri që u ngrit rreth 1.5 kilometra mbi krater.
(A2 Televizion)