Europës i duhen para për Ukrainën, ja pse nuk ja merr Rusisë

Nga A2 CNN
21 Mars 2025, 10:39 | Bota

Europës i duhen para për Ukrainën, ja pse nuk ja merr Rusisë

Tre vjet luftë në Ukrainë i kanë kushtuar Europës rreth 122 miliardë dollarë në ndihma direkte, plus miliarda të tjera të investuara në ushtritë dhe industrinë e mbrojtjes në kontinent.

Por rajoni deri më tani ka refuzuar të prekë 229 miliardë dollarët e bankës qendrore ruse, të ngrira në Bashkimin Europian pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putini në vitin 2022.

Javën e kaluar, megjithatë, ligjvënësit francezë miratuan një rezolutë jodetyruese duke i bërë thirrje qeverisë së tyre që të përdorë asetet e ngrira ruse për të “financuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe rindërtimin e saj” – konkretisht vetë asetet dhe jo vetëm interesat që ato gjenerojnë.

Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Kanadaja kishin miratuar tashmë legjislacion që u jep qeverive fuqinë për të konfiskuar asetet e ngrira ruse. Në ditët e tij të fundit, administrata Biden gjithashtu u përpoq të bindte aleatët europianë për të konfiskuar fondet e bllokuara të Rusisë.

Europës i duhen para për Ukrainën, ja pse nuk ja merr Rusisë

Disa përparime në këtë drejtim u arritën javën e kaluar, kur Parlamenti Europian ra dakord për një rezolutë për të konfiskuar asetet e ngrira ruse për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës. Teksti i rezolutës ende nuk është hedhur në votim nga ligjvënësit e parlamentit.

BE-ja tashmë po përdor interesat nga këto fonde të ngrira për të mbështetur kredi shumë miliardëshe për Ukrainën. Por qeveritë europiane mbeten hezituese për të konfiskuar kapitalin. Kryeministri britanik Keir Starmer e përshkroi këtë çështje më 15 mars si “të ndërlikuar”.

Një mal me para

Shqetësimet janë dyfishe: ekonomike dhe ligjore. “Nuk po i prekim këto asete ruse”, tha zëdhënësja e qeverisë franceze Sophie Primas, të mërkurën e kaluar, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, duke dekurajuar investimet e huaja në Europë, edhe pse qeveria po shqyrton rrugët ligjore për të përdorur fondet.

Një vend si Kina, që është e vetëdijshme se mund të përballet me sanksione europiane nëse pushton Tajvanin, mund të ngurrojë të vendosë fonde në rajon, sipas këtij argumenti.

Europës i duhen para për Ukrainën, ja pse nuk ja merr Rusisë

Në fakt, Rusia prej vitesh ka lëvizur fondet e saj zyrtare jashtë SHBA-së, nga frika e ndëshkimeve për agresionet e saj në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Ka një precedent për një veprim të tillë nga SHBA. Ajo ka konfiskuar asete gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe asete afgane dhe irakiane, thotë profesorja Olena Havrylchyk, ekonomiste në Universitetin Panthéon-Sorbonne në Paris. Ajo shton se Moska nuk kishte të njëjtën frikë nga Europa.

Vitet e fundit, bankat qendrore të Europës kanë shprehur shqetësim (të maskuar në një gjuhë diplomatike) se konfiskimi i fondeve të huaja mund të “dëmtojë euron si monedhë rezervë”, tha Havrylchyk për CNN.

Por mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën do të vazhdojë të ketë një kosto financiare për Europën – dhe interesi nga fondet e Rusisë nuk do të jetë i mjaftueshëm, përcjell A2 CNN. Ky është një realitet që taksapaguesit europianë do të duhet ta pranojnë, nëse konfiskimi i parave të Rusisë mbetet i pamundur, thotë Havrylchyk.

Ajo beson se një Rusi e armatosur me armë bërthamore nuk do të pranojë kurrë të paguajë reparacione si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, kështu që shpresat e Kievit për kompensim duhet të mbështeten në fondet tashmë të bllokuara në Perëndim. “Bota nuk drejtohet vetëm nga ekonomistët”, tha ajo. “Ligji ndërkombëtar është mbi të gjitha për drejtësi, jo vetëm për të drejtat e pronës”.

Shqetësimet ligjore

Nga ana ligjore, hezitimi i Europës për të konfiskuar – dhe jo thjesht për të ngrirë – asetet ruse, vjen nga një prej parimeve kryesore të ligjit ndërkombëtar: imuniteti i aseteve shtetërore jashtë vendit nga sekuestrimi.

Prandaj, justifikimi për konfiskimin e kapitalit rus do të ishte vendimtar, thotë Frédéric Dopagne, profesor i të drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Louvain në Belgjikë.

Reparacionet për dëmet e shkaktuara nga Rusia në Ukrainë dhe forcimi i aftësive mbrojtëse të Ukrainës kundër agresionit janë argumentet më të forta ligjore që Europa mund të përdorë, shton ai.

Kur SHBA miratoi ligjin dypartiak për Rindërtimin e Prosperitetit Ekonomik dhe Mundësive për Ukrainasit në vitin 2024, ajo e justifikoi sekuestrimin e aseteve ruse në bazë të përdorimit të tyre për të rindërtuar Ukrainën. Ndërsa ligjvënësit francezë, gjatë debatit të tyre javën e kaluar, miratuan një amendament që hoqi qartë dispozitat për përdorimin e aseteve ruse për mbrojtjen e vetë Europës.

Me rreth dy të tretat e fondeve të ngrira ruse që ndodhen në BE, rreziku - dhe përfitimet e mundshme -  janë shumë më të mëdha për qeveritë europiane sesa për SHBA-në.

Dopagne thotë se hezitimi i Europës është pjesërisht për shkak të mungesës së një precedenti historik.

Pas Luftërave Botërore I dhe II, një Gjermani e mposhtur u detyrua të paguante dëmshpërblime përmes traktateve ndërkombëtare. Por, me Moskën që nuk pranon as një armëpushim 30-ditor, një marrëveshje pas-luftës me Rusinë është një perspektivë e largët, thotë ai.

Kështu, pyetja për vendimmarrësit perëndimorë mbi Ukrainën është: “A mund të kemi vërtet një marrëveshje për dëmshpërblime përpara se të kemi një traktat paqeje?”

“Do të ishte një risi”, shton ai, edhe pse nuk mund të përjashtohet.

Konsensusi unanim i nevojshëm

Argumentet nga të dyja palët ende nuk kanë arritur një pikë kritike. Shtete si Belgjika, e cila mban pjesën më të madhe të fondeve të ngrira ruse (rreth 193 miliardë dollarë, sipas Institutit të Ideve Legjislative në Ukrainë), mbeten skeptike, dhe mbështetja nga fuqitë ekonomike si Gjermania do të ishte thelbësore për një konsensus më të gjerë europian.

Çdo veprim i BE-së do të kërkonte pothuajse me siguri pëlqim unanim nga të gjitha shtetet anëtare, një rezultat i pamundur duke pasur parasysh mbështetjen për Rusinë në administratat hungareze dhe sllovake.

Për momentin, pasuria e ngrirë e Moskës duket e sigurt jashtë xhepave europianë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos