Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, njoftoi se është "gati t'i përgjigjet pozitivisht çdo kërkese nga Kryqi i Kuq për të siguruar ushqim dhe ilaçe për pengjet" që mban, të cilët organizata i quan "të burgosur armiq".
Megjithatë, siç thekson ajo, leja përkatëse varet nga qëndrimi i Izraelit mbi aksesin humanitar në Gaza.
Njoftimi vjen pas një kërkese nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu drejtuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të siguruar që pengjet "të marrin menjëherë kujdesin dhe vëmendjen mjekësore që u nevojitet".
Në përgjigje, zëdhënësi i Brigadave Al-Qassam, Abu Obeida, tha se qasja e Kryqit të Kuq ishte e kushtëzuar nga "hapja e korridoreve humanitare në mënyrë të rregullt dhe të përhershme, me qëllim transportimin e ushqimit dhe ilaçeve për të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës, si dhe ndërprerjen e plotë të të gjitha aktiviteteve ajrore armiqësore gjatë orëve të dorëzimit të pakove tek të ndaluarit".
Abu Obeida gjithashtu pretendoi se pengjet nuk po vuanin urie qëllimisht dhe "ata po hanë të njëjtin ushqim që po hanë luftëtarët tanë dhe popullsia e përgjithshme".
Ai tha se "ata nuk do të marrin ndonjë trajtim të veçantë në një kohë kur i gjithë populli i Gazës po përjeton uri dhe izolim". (A2 Televizion)