Frikë për zgjerimin e luftës pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Irani: Izraeli do të pendohet

Nga Xhevahir Qardaku
31 Korrik 2024, 10:45 | Bota

Lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, është vrarë në Iran. Këtë e konfirmon vetë grupimi palestinez duke saktësuar se ai humbi jetën pas një sulmi ajror në orën 2 të së mërkurës në kryeqytetin Teheran.

Hamasi fajëson Izraelin për këtë vrasje dhe paralajmëron një hakmarrje të fuqishme. Por shteti hebre nuk u është përgjigjur akuzave, ndërsa vazhdimisht është zotuar se do të eliminonte liderët e Hamasit.

Haniyeh, i lindur në Gaza, por që ka jetuar në Katar për shumë vite, gjendej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Iranit. Pas akuzave të marra dhe frikës për një zgjerim të mundshëm të luftës në Lindjen e Mesme, Izraeli ka mbyllur hapësirën ajrore për një pjesë të vendit, ndërsa ka vendosur ushtrinë në gatishmëri.

Presidenti i ri Iranian, Masoud Pezeshkian, e quajti vrasjen një “operacion burracak” dhe kërcënoi me kundërpërgjigje të fortë. “Do të mbrojmë integritetin territorial dhe nderin tonë”, theksoi ai duke shtuar se “Izraeli do të pendohet për këtë”.

Ndërsa lideri suprem iranian Ali Khamenei tha se “regjimi sionist do të përballet me një dënim të ashpër për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Regjimi kriminal dhe terrorist sionist ka përgatitur terrenin për dënim të ashpër. Ne e konsiderojmë si detyrë hakmarrjen dhe kërkimin e gjakut të Haniyeh, i cili u vra në territorin e Iranit”.

Mediat në Teheran raportojnë se raketa që goditi ndërtesën qeveritare ku qëndroi Haniyeh ishte lëshuar nga jashtë Iranit. Vrasja e liderit politik të Hamasit është dënuar edhe nga Mahmoud Abass, president i Palestinës duke e konsideruar atë një zhvillim të rrezikshëm. Turqia ka folur me një zë më të ashpër.

“Ne dënojmë vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një akt të turpshëm në Teheran”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë, duke shtuar se “ky sulm synon gjithashtu të zgjerojë luftën e Gazës në një dimension rajonal”.

Në të njëjtën linjë edhe Rusia. “Kjo është një vrasje politike krejtësisht e papranueshme dhe do të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve”, thekson zëvendësministri i Jashtëm rus Mikhail Bogdanov. Edhe Kina ka dënuar vrasjen e Haniyeh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos