“Irani nuk do të pranojë presionin për të hyrë në negociata”, tha të shtunën lideri suprem i vendit Ayatollah Ali Khamenei, një ditë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump zbuloi se i kishte dërguar një letër udhëheqjes iraniane për të negociuar një marrëveshje të re bërthamore.
Në një intervistë me Fox Business, Trump theksoi se “ka dy mënyra për t'u marrë me Iranin: ushtarakisht ose përmes një marrëveshjeje”, e cila në rast se arrihet do të parandalonte Teheranin nga marrja e armëve bërthamore.
Sipas mediave shtetërore iraniane, Khamenei, në një takim me zyrtarë të lartë iranianë, vuri në dukje se qëllimi i vërtetë i Uashingtonit nuk është të zgjidhë mosmarrëveshjet, por të vendosë kushtet e veta.
“Këmbëngulja e disa qeverive që frikësojnë për negociata nuk ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve, por imponimin dhe dominimin”, deklaroi ai.
“Për ta, bisedimet janë një mekanizëm për të shtyrë përpara kërkesa të reja. Nuk ka të bëjë vetëm me programin bërthamor të Iranit. Irani nuk do të pranojë kushtet e tyre", nënvizoi ai.
Siç thekson Reuters, pavarësisht se ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje të re me Teheranin, Trump ka rikthyer politikën e "presionit maksimal" që zbatoi gjatë mandatit të tij të parë, duke synuar të izolojë Iranin nga ekonomia globale dhe të zvogëlojë eksportet e tij të naftës në zero.
Gjatë mandatit të tij të parë presidencial (2017-2021), Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja ndërkombëtare e nënshkruar midis Iranit dhe fuqive të mëdha, e cila vendosi kufizime të rrepta mbi aktivitetet bërthamore iraniane në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Pas tërheqjes së SHBA-së në vitin 2018 dhe rivendosjes së sanksioneve amerikane, Irani ka shkelur dhe ka tejkaluar shumë nga kushtet e marrëveshjes. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, ka paralajmëruar se koha për diplomacinë po mbaron pasi Teherani vazhdon të përshpejtojë pasurimin e uraniumit në nivele që i afrohen cilësisë së armëve bërthamore. Ndërkohë, qeveria iraniane këmbëngul se programi i saj bërthamor shërben vetëm për qëllime paqësore. (A2 Televizion)