Kryeministri sllovak mbetet në gjendje të rëndë, ndërsa i dyshuari paraqitet në gjykatë

Nga A2 CNN
18 Maj 2024, 14:25 | Bota

Kryeministri sllovak mbetet në gjendje të rëndë, ndërsa

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, mbetet në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme, ndërsa personi i akuzuar për tentativë vrasjeje bëri paraqitjen e tij të parë në gjykatë.

Ministrja sllovake e shëndetësisë, Zuzana Dolinková, dha sot detaje mbi gjendjen shëndetësore të kryeministrit. Sipas saj një operacion dyorësh për të hequr indet e vdekura nga plagët e shumta me armë zjarri kishte "kontribuar në një prognozë pozitive" për Ficon.

59-vjeçari u sulmua të mërkurën teksa përshëndeti mbështetësit pas një takimi të qeverisë në ish-qytetin e minierave të qymyrit Handlova. Ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Ministri i mbrojtjes, Robert Kaliňák, tha se gjendja e Ficos nënkuptonte se nuk ishte e mundur transportimi i tij në kryeqytetin, Bratislavë.

Përditësimi mbi gjendjen e kryeministrit erdhi pasi njeriu i akuzuar për tentativën e vrasjes u paraqit sot në gjykatë.

Gjykata në Pezinok, një qytet i vogël jashtë Bratislavës, ruhej nga oficerë të veshur me kapuç dhe me armë. Mediat nuk u lejuan të hynin dhe gazetarët u mbajtën jashtë pas një porte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos