Izraeli ka mundur të kthejë në shtëpi 3 prej pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi, edhe pse të vdekur. Forcat e mbrojtjes thanë se kishin rekuperuar trupat e shtetasve, Shani Louk, Amit Buskila, dhe Itzhak Gelerenter.
Siç thuhet ata ishin vrarë që në sulmin e 7 tetorit, por trupat e tyre ishin marrë nga ekstremistët brenda territorit të Gazës. Mediat lokale raportuan se trupat ishin gjetur në një tunel të Hamasit.
Të paktën 1200 persona u vranë në sulmin e paprecedentë kundër Izraelit, kur militantë të armatosur të Hamasit mësynë zonat pranë kufirit. Ata morën peng 252 persona të tjerë.
“Me hidhërim, ndaj me ju lajmin se mbrëmjen e kaluar forcat izraelite të mbrojtjes rimorën trupat e pengjeve tona të cilët u rrëmbyen masakrën e 7 tetorit dhe u vranë nga Hamasi”, tha zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari.
Sipas informacioneve të besueshme ata u vranë teksa po përpiqeshin të largoheshin nga koncerti muzikor Nova. Edhe kryeministri Netanjahu e cilësoi lajmin si tejet të dhimbshëm, ndërsa premtoi se do të rikthenin të gjitha pengjet, qofshin të gjallë apo të vdekur.
Të paktën 125 mbeten ende në duart e Hamasit, ndërsa të tjerët janë liruar ose shpëtuar. Pas njoftimit të IDF, kahu i armatosur i Hamasit tha se pengjet që mbaheshin prej tyre do të riktheheshin vetëm përmes një shkëmbimi të ndershëm, me njerëzit e tyre ne burgjet izraelite. Bisedimet e gjata në Kajro për të siguruar një armëpushim, aktualisht kanë ngecur. (A2 Televizion)