Raketa, dronë, shpërthime dhe paqja që nuk duket në horizont. Me këtë panoramë u zgjua këtë të hënë Lindja e Mesme…
Shtetet e Bashkuara kanë goditur bazat ushtarake iraniane gjatë fundjavës, ndërsa Teherani tha se është përgjigjur duke synuar një bazë amerikane. Kjo shënon përshkallëzimin e tretë të njohur brenda një jave rreth Ngushticës së Hormuzit, shkruan A2.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha se nisi “sulme vetëmbrojtëse” në përgjigje të “veprimeve agresive iraniane”, të cilat thanë se përfshinin edhe rrëzimin e një droni amerikan mbi ujërat ndërkombëtare. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike e Iranit tha se kishte shënjestruar dhe shkatërruar një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane për një sulm në Iranin jugor, pa specifikuar vendndodhjen.
Ndërkohë, Kuvajti, i cili strehon një bazë amerikane, tha herët të hënën se sistemi i tij i mbrojtjes ajrore po “përballej me sulme armiqësore me raketa dhe drone” pa dhënë detaje të mëtejshme. Ky është shkëmbimi i fundit midis dy palëve, pasi negociatat për një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës së tyre disamujore dështuan të përparonin gjatë fundjavës.
“Irani dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje dhe ajo do të jetë një marrëveshje e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ata që janë me ne”, tha Trump.
Më pas, Presidenti kritikon ashpër demokratët dhe disa republikanë që kundërshtojnë vazhdimin e luftës apo vonimin e një marrëveshjeje me Iranin. Mediat amerikane që raportuan se Trump kishte kërkuar ndryshime në kushtet e marrëveshjes paraprake për paqe, që lidhen me kanalin e transportit detar të Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e uraniumit të pasuruar shumë.
Irani do të bëjë ndryshime në draft-marrëveshjen që është duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara, raportoi agjencia e lajmeve Tasnim, duke cituar një burim pranë qendër së vendimmarrjes në Teheran. Kryenegociatori i Iranit tha të dielën se Teherani nuk do të pranonte asnjë marrëveshje nëse të drejtat iraniane nuk siguroheshin plotësisht. Burimi i kontaktuar nga Tasnim shtoi se Irani është “plotësisht i përgatitur” për një skenar në të cilin nuk arrihet asnjë marrëveshje. (A2 Televizion)