Të paktën pesë civilë ukrainas kanë vdekur si pasojë e sulmeve të fundit ruse në rajonin e Kharkiv. Besohet se janë gjithashtu edhe 30 të plagosur në gjendje të rëndë. Sulmet shkatërruan pjesërisht ndërtesën e këshillit të qytetit, thanë zyrtarët ukrainas, citon Reuters. Forcat ruse goditën rrethin qendror të qytetit duke përdorur një raketë balistike, tha guvernatori Oleh Syniehubov në Telegram, duke cituar informacionin paraprak. Një vajzë 15-vjeçare ishte në mesin e të plagosurve dhe tre persona po i nënshtroheshin operacionit pas goditjes, shtoi ai. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës publikoi një video që tregon trupa pranë ndërtesës së shkatërruar.
Raketat balistike zakonisht godasin objektivat në rajonet e Ukrainës në kufi me Rusinë brenda vetëm disa minutave pasi u zbuluan. Vitaliya Kliuchanovych i tha Reuters se po kërkonte dy të afërme femra, 18 dhe 19 vjeç, të cilat kishin shkuar për të mbledhur dokumente nga shërbimi i pasaportave. Syniehubov më vonë tha se të dyja gratë - njëra prej tyre shtatzënë - ishin në mesin e të vrarëve.
“E afërmja ime dhe vajza e saj kanë ardhur këtu për të marrë dokumentet dhe pasaportat. Vjehrra ime tani po trajtohet në spital, dora e saj është lënduar. Vëllai im më telefonoi dhe më tha duhet të vij këtu për të ndihmuar dhe ne shkuam në spital por ata nuk i gjeta në asnjë ambulance”, thotë Vitaliya Kliuchanovych, e afërme e dy grave të vrara.
"Ky brutalitet nuk mund të tolerohet. Presioni maksimal duhet të ushtrohet ndaj Rusisë - përmes forcës ushtarake, sanksioneve dhe diplomacisë - për të ndaluar terrorin dhe për të mbrojtur jetët," tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në X, duke komentuar sulmin.
Olena Bespala, punonjëse në shërbimin e mbrojtjes së fëmijëve, ishte në punë kur ndodhi sulmi.
"Alarmi për sulmin ajror u dëgjua vetëm në momentin e goditjes. Dhe pastaj, një sekondë më vonë, pati një shpërthim, kishte shtëllunga tymi dhe gjithçka u hodh në erë", shprehet ajo.
Raketat balistike zakonisht godasin objektivat në rajonet e Ukrainës në kufi me Rusinë brenda vetëm disa minutave pasi identifikohen target zonat. (A2 Televizion)