‘’Le të shpërthejë ferri në Gaza’’, Trump jep ultimatumin: Lironi pengjet deri të shtunën

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2025, 18:57 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një paralajmërim të fortë kundër Gazës, nëse Hamasi nuk do të lirojë të gjitha pengjet izraelite deri mesditën e së shtunës.

‘Do të propozoj anulimin e armëpushimit dhe do të lejoj që ferri të shpërthejë atje’, ishin fjalët e Trump. Ai shtoi se do të fliste për këtë me kryeministrin Benjamin Netanjahu në rastin se Izraeli do të përpiqet ta anashkalojë atë, lidhur me çështjen.

Teksa ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump shprehu frustrimin me kushtet e grupit të fundit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe nga njoftimi se grupi militant mund të ndërpriste lirimet e mëtejshme.

"Për sa më përket mua, nëse të gjitha pengjet nuk kthehen deri të shtunën në orën 12, mendoj se është një kohë e përshtatshme, unë do të thoja anulo armëpushimin dhe le të shpërthejë ferri…”

Trump e bëri të qartë se pengjet duhet të lirohen të gjithë njëherazi, e jo pak e nga pak. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, pohoi gjithashtu se do të pezullonte ndihmat për Jordaninë dhe Egjiptin nëse nuk do të pranonin refugjatët palestinezë të shpërngulur nga Gaza.

Komentet vijnë mes konfuzioneve që ka shkaktuar propozimi i Trumpit për vënien e Gazës nën kontrollin e SHBA pasi të kenë përfunduar luftimet. Ai tha se palestinezët nuk do të kenë të drejtë të rikthehen në Rripin e Gazës, në bazë të planit të tij për të rizhvilluar enklavën, diçka që bie ndesh me atë që zyrtarët e administratës së tij kanë sugjeruar, pra se banorët e Gazës do të shpërnguleshin vetëm përkohësisht.

Në një intervistë për Fox News të hënën, Trump tha se do të lidhte marrëveshje me Jordaninë dhe Egjiptin për palestinezët e shpërngulur, pasi siç tha, SHBA u jepte këtyre vendeve miliarda dollarë çdo vit.  

Propozimi shokues erdhi më 4 shtator, pas takimit që Trump zhvilloi me Netanjahut. Ai tha se 2.2 milionë palestinezët në Gaza duhet të shpërnguleshin, dhe se SHBA duhej të merrte kontrollin e enklavës duke e kthyer në rivierë të Lindjes së mesme. Shumë po e konisderojnë këtë si një përpjekje për pastrim etnik.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos