Liderët tregojnë sekretin e pavdekshmërisë, Putin dhe Xi flasin për transplant organesh: Jetojmë 150 vite!

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 10:33 | Bota

Liderët tregojnë sekretin e pavdekshmërisë, Putin dhe Xi

Parada teatrale në Pekin i dhuroi botës dhe një moment shqetësues afrimiteti dhe sekretesh mes liderëve të superfuqive. Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, po ecte shpinë për shpinë me liderin e Kinës, Xi Jinping, dhe diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, një mikrofon i harruar hapur i ka kapur ata duke diskutuar për transplantin e organeve dhe mundësinë që të jetojnë deri në 150 vite.

Madje shefi i Kremlinit sugjeroi se pavdekshmëria mund të arrihet si rezultat i risive në bioteknologji, sipas përkthimit që i kanë bërë ekspertët e mediave ndërkombëtare bisedës mes liderëve.

Shkëmbimi, i konfirmuar për gazetarët nga vetë Putini, është transmetuar drejtpërdrejtë nga Televizioni Publik i Kinës, CCTV dhe nga media të tjera, përfshirë Reuters.

Ndërsa dy liderët ecnin drejt podiumit në sheshin historik Tienanmen, ku ndoqën paradën madhështore ushtarake me Kim Jong un, dëgjohet Xi Jinping të thotë: “Në të kaluarën, njerëzit rrallë jetonin më shumë se 70 vite, por sot thonë se 70 vjeç je ende fëmijë”.

Putin përgjigjet kështu: “Bioteknologjia po zhvillohet vazhdimisht. Organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht. Sa më gjatë jetojmë, aq më të rinj bëhemi dhe madje mund të arrihet pavdekshmëria”.

Më pas dëgjohet sërish Xi Jinping: “Disa parashikojnë se gjatë këtij shekulli, njerëzit mund të jetojnë deri në 150 vite”. Kim Jong Un buzëqesh në drejtim të liderëve të Kinës dhe Rusisë, por nuk është e qartë nëse diktatori koreanoverior të ketë kuptuar argumentin e bisedës së tyre. Putin në një konferencë shtypi konfirmoi se diskutimi ishte serioz.

“Berluskoni ishte shumë aktiv në këtë temë. Metodat moderne të përkujdesit shëndetësor, mjekimet, madje edhe operacionet për transplant organesh i mundësojnë njerëzimit që të shpresojnë që jetëgjatësia të mos jetë si sot, ndryshon nga shteti në shtet, por gjithsesi lejojnë që jetëgjatësia të rritet konsiderueshëm”, tha Putin.

Xi Jinping dhe Putin janë në pushtet respektivisht prej 13 dhe 25 vitesh, ndërsa asnjëri nuk shfaq shenja largimi. Presidenti kinez dërgoi një mesazh të fuqishëm botës që të zgjedhë mes paqes dhe luftës, teksa prezantoi një Rend të Ri Global dhe fuqinë ushtarake .  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos