Nga rruga në parlament, deputetët përleshen në seancë, PD nuk lejon normalitet

Nga Indrit Maraku
22 Tetor 2026, 16:11 | Politikë

Demokratët shkuan në Parlament me qëllimin për të penguar çdo nuancë normaliteti.

Ndërkohë, Flamur Noka kishte nisur t’u hiqte socialistëve kartat e prezencës dhe të votimit, por kur mbërriti te Taulant Balla, situata përfundoi në përleshje.

Ndërsa demokratët qëndronin të gjithë në këmbë, Sali Berisha qëndronte ulur në vendin e tij. Ai e ndiqte situatën nga distanca dhe direktivat i përcillte përmes deputetes Denisa Vata.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së e lexoi situatën dhe kërkoi menjëherë kalimin në votim të rendit të ditës.

Situatën e ndezi edhe më shumë përpjekja e demokratëve për t’u marrë socialistëve kartat e votimit, ndërkohë që sistemi i votimit elektronik kishte dalë jashtë funksionit.

Nga ofendimet te konfrontimi fizik, hapi ishte i shkurtër. Përplasja nisi fillimisht mes deputetit demokrat Fidel Kreka dhe socialistit Ervin Hoxha, ndërsa më pas u përfshinë edhe deputetë të tjerë.

Tensioni i krijuar e detyroi Sali Berishën të ngrihej në këmbë dhe t’u kërkonte deputetëve të tij të tërhiqeshin drejt foltores. Këmbëngulja e kryedemokratit shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm dhe situata u qetësua pas përfundimit të votimit të rendit të ditës.

Jashtë, në oborrin e Parlamentit, përplasja vijoi në distancë, por këtë herë vetëm me fjalë.

 “Ky sistem duhet të marrë fund.”, tha Berisha.

 “E patë kush është porositësi i dhunës?”, tha Balla.

Kryedemokrati doli hapur në mbështetje të protestës, duke marrë përsipër jo vetëm përkrahjen, por edhe autorësinë e saj.

Ndërsa socialistët u bëjnë thirrje kundërshtarëve të tyre politikë që forcën ta matin në zgjedhje.

Demokratët paralajmëruan se do të ndjekin të njëjtën strategji edhe në seancat e ardhshme, ndërsa PS-ja deklaron se nuk do të ketë më vonesa në miratimin e ligjeve që lidhen me integrimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos