
Ahmad Alamolhoda, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve të Iranit, ka thënë se zgjedhjet për udhëheqësin e ardhshëm janë mbajtur dhe udhëheqësi është zgjedhur, raporton A2CNN.
Ai ka thënë se tani gjithçka varet nga kreu i Sekretariatit të Asamblesë së Ekspertëve, Hosseini Bushehri, i cili aktualisht është përgjegjës për njoftimin publik të vendimit, raporton agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur lufta në Iran është futur në javën e dytë të saj dhe ushtria e izraelit ka paralajmëruar se do të shënjestrojë çdo pasardhës të udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Mojtaba Khamenei, djali i dytë i Ali Khamenei-t, është shfaqur në skenë si figura më e mundshme për të pasur të atin, i cili u vra në ditën e parë të luftës me SHBA-në dhe Izraelin. Ndonëse emri i tij ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, gjasat janë të mëdha që të jetë ai Lideri i zgjedhur Suprem i Iranit.
56-vjeçari nuk ka kandiduar kurrë për një detyrë zyrtare dhe as nuk i është nënshtruar një votimi publik, por për dekada ka qenë një figurë shumë me ndikim në rrethin e ngushtë të udhëheqësit suprem, duke mbajtur lidhje të forta me IRGC-në.
Në vitet e fundit, Mojtaba Khamenei është cilësuar gjithnjë e më shumë si një zëvendësues i mundshëm për të atin. Nëse ai ngjitet në pushtet, atëherë kjo do të ishte një shenjë se fraksione më të ashpra në establishmentin e Iranit do të mbajnë pushtetin dhe mund të tregojë se qeveria ka pak dëshirë të bjerë dakord për një marrëveshje ose negociata në afat të shkurtër.
(A2 Televizion)