
Gjithnjë e më shumë shtetas kinezë po përdorin të ashtuquajturën “Rrugë ballkanike” për të hyrë në BE - shpesh duke kaluar nga Serbia dhe Bosnja.
Kalimet ilegale janë të rrezikshme dhe shpesh lidhen me rrjete kriminale dhe trafikim njerëzish, thonë ekspertët.
Arsyet kryesore të migrimit janë: papunësia, mungesa e mundësive sociale dhe mungesa e mbrojtjes ligjore në Kinë.
Pasi udhëtuan fillimisht me avion nga Kina për në Serbi dhe më pas me autobus drejt Bosnje dhe Hercegovinës fqinje, dy të rinj nga Kina po përpiqen të hyjnë në Bashkimin Evropian përmes Kroacisë.
Yong dhe Chen ndoqën të ashtuquajturën “Rrugë ballkanike” të migrantëve, duke iu bashkuar mijëra azilkërkuesve nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika, të cilët ikin nga lufta, varfëria dhe shtypja, me shpresën për të filluar një jetë të re në BE.
Ata janë pjesë e një grupi gjithnjë e më të madh shtetasish kinezë, që përfitojnë nga hyrja pa viza në Serbi dhe në Bosnje, për të kaluar më pas në territorin e BE-së dhe për të kërkuar azil në vendet e Evropës Perëndimore.
Radio Evropa e Lirë do të përdorë pseudonime për ta - Yong dhe Chen - dhe nuk do të zbulojë shumë detaje, pasi të dy janë në të 20-at e hershme.
Ata folën për REL-in në kampin e migrantëve Bllazhuj, afër Sarajevës, ku u takuan pasi kishin udhëtuar veç e veç nga Kina.
Yong është nga provinca Henan e Kinës, ku punonte si shpërndarës ushqimi, ndërsa Chen ishte kuzhinier në një restorant në provincën Jiangsu.
Yong thotë se dëshiron të shkojë në një vend të Bashkimit Evropian, por se nuk ka edhe shumë para dhe nuk e di se si të kalojë në mënyrë të sigurt në Kroaci, e cila është anëtare e BE-së që nga viti 2013.
“Ndoshta do të qëndroj këtu dhe do të gjej ndonjë punë për të fituar disa para. Mbase do të kërkoj punë në ndonjë dyqan, mund të punoj si shitës”, thotë ai.
Ikja nga mbikëqyrja, papunësia...
Sipas të dhënave të Frontex-it - Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare - 482 shtetas kinezë janë kapur duke kaluar ilegalisht përgjatë “Rrugës ballkanike” në nëntë muajt e parë të vitit 2025.
Ky numër pritet të rritet deri në fund të vitit, pasi katër grupe me mbi 50 shtetas kinezë janë ndaluar gjatë muajve të fundit.
Disa nga këto kalime kanë përfunduar me tragjedi.
Në tetor, një rast përfundoi me mbytjen e një shtetasi kinez, pasi një varkë me migrantë u fundos, teksa përpiqej të kalonte lumin Danub midis Serbisë dhe Kroacisë. Katër migrantë të tjerë kinezë që ndodheshin në bord, mbijetuan.
Më shumë se 1 milion shtetas kinezë kanë kërkuar azil jashtë vendit midis viteve 2012 dhe 2024, sipas të dhënave të Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatë (UNHCR).
Arsyet kryesore përfshijnë shtimin e mbikëqyrjes dhe censurës që nga ardhja në pushtet e Xi Jinpingut në vitin 2012, normat e larta të papunësisë në mesin e të rinjve dhe pagat e ngrira në vitet e fundit.
Kjo periudhë është shoqëruar me rritjen e komuniteteve kineze të diasporës në qytete si: Amsterdami, Bangkoku, Dubai dhe Tokio.
Por, shumë njerëz nga shtresa e mesme e ulët, të cilët nuk kanë mundësi financiare apo kualifikime për të emigruar në mënyrë të rregullt, kërkojnë rrugë të tjera për të dalë nga vendi.
Disa janë përpjekur të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes korridorit migrator që lidh Amerikën e Jugut dhe Qendrore me kufirin jugor të SHBA-së. Një numër më i vogël, por në rritje, kërkon rrugën drejt Evropës përmes Ballkanit.
Laura Harth, nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Safeguard Defenders”, thotë për Radion Evropa e Lirë se “Rruga ballkanike” për shtetasit kinezë është “një shteg eksperimental për ata që përpiqen të mbërrijnë në Evropë përmes kanaleve të parregullta të migrimit - shpesh të lidhura me rrjete të rrezikshme të trafikimit të njerëzve”.
Si arrijnë migrantët kinezë në Ballkan?
Yong dhe Chen hezitojnë të tregojnë hollësi për jetën e tyre në Kinë, nga frika se ata ose familjarët e tyre mund të identifikohen nga autoritetet kineze dhe të përballen me pasoja.
Të dy thonë se i kanë humbur pasaportat, por se nuk duan ndihmë nga ambasadat kineze; përkundrazi, presin mbështetje nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM).
Ambasadat e Kinës në Beograd dhe në Sarajevë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shfrytëzimin e “Rrugës ballkanike” nga shtetasit kinezë.
Disa përpiqen të kalojnë nga Serbia në Kroaci - ku shtetasit kinezë mund të qëndrojnë deri në 30 ditë pa vizë - por më shpesh ndodh që ata të përpiqen të hyjnë në BE nga Bosnja, e cila lejon qëndrime deri në 90 ditë pa vizë dhe ka një kufi shumë më të gjatë me Kroacinë.
Në Kroaci, 454 shtetas kinezë kërkuan azil ndërkombëtar në vitin 2024 dhe 377 të tjerë në nëntë muajt e parë të vitit 2025.
“Të gjithë kanë ardhur nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia, duke keqpërdorur regjimin pa viza në këto vende”, thotë për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Kroacisë.
Numri i saktë i shtetasve kinezë që kalojnë përgjatë “Rrugës ballkanike” nuk dihet. Dihet vetëm numri i atyre që kapen gjatë kalimeve ilegale.
Shumë migrantë kinezë tashmë u drejtohen rrjeteve të trafikimit që u mundësojnë hyrjen në BE.
Ministria e Sigurisë e Bosnje dhe Hercegovinës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se numri i shtetasve kinezë të kapur gjatë kalimeve të paligjshme kufitare është rritur ndjeshëm gjatë dy vjetëve të fundit - nga vetëm dy persona në vitin 2023, në 151 në vitin 2024.
Shumë pak migrantë kinezë kërkojnë azil në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2024 janë regjistruar vetëm tri kërkesa për azil nga shtetasit kinezë, nga gjithsej 21.489 migrantë që kanë mbërritur në këtë vend.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për numrin e shtetasve kinezë që kanë kaluar ilegalisht kufirin në vitin 2025, por tha se ka pranuar kërkesa për azil nga tetë shtetas kinezë në vitin 2023, tre në vitin 2024 dhe pesë deri në shtator të vitit 2025.
Nikolla Kovaçeviq, nga Qendra për Kërkime dhe Zhvillim Shoqëror (IDEAS) në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë nuk është e pazakontë që të shihen shtetas kinezë në Serbi - qoftë turistë, punëtorë apo migrantë që synojnë të vazhdojnë drejt Perëndimit.
“Janë vetëm disa persona, por më herët nuk kishte asnjë”, thotë Kovaçeviq.
Sipas statistikave zyrtare në Serbi, 27 shtetas kinezë janë dëbuar nga ky vend në vitin 2024 - 72.8% e rasteve për shkak të kalimeve ilegale të kufirit.
Radosh Gjuroviq, nga Qendra për Mbrojtje dhe Asistencë për Azilkërkuesit në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se organizata e tij punon me mbi 2.500 persona në vit, por vetëm pak prej tyre janë shtetas kinezë.
“Kjo nuk do të thotë që ata nuk janë këtu. Nëse kontrabandimi është i suksesshëm, atyre nuk u duhet të na kontaktojnë”, thotë ai.
Rruga përmes Ballkanit
“Rruga ballkanike” është përdorur nga një numër rekord migrantësh në kulmin e krizës së refugjatëve në Evropë në vitin 2015 dhe që atëherë ka mbetur një nga rrugët kryesore të migrimit drejt kontinentit.
Edhe pse rrugët e kalimeve të paligjshme ndryshojnë me kohën, përgjatë saj janë forcuar rrjetet e kontrabandës që dërgojnë migrantë në BE.
“Ne kemi vërejtur se bashkë me migrantët arrijnë edhe grupe kriminale”, thotë për Radion Evropa e Lirë Samir Avdibegoviq nga organizata “Vasha Prava”, e cila ofron ndihmë ligjore për migrantët në Bosnje dhe Hercegovinë.
Një nga rastet më të njohura është ai i Zhang Yongut, një 42-vjeçar nga Kina, i cili më 15 tetor u dënua për organizim të trafikimit të grave dhe detyrimin e tyre në prostitucion.
Sipas Prokurorisë së Bosnjës, ai kishte detyruar gra kineze të prostituoheshin në qytetet Mostar, Sarajevë, Doboj dhe Banja Llukë, dhe i kishte sjellë vetë nga Serbia, ku ato kishin mbërritur nga Kina.
Në janar, EUROPOL-i njoftoi se kishte shkatërruar një rrjet të madh kriminal kinez që trafikonte gra nëpër rajon drejt Bashkimit Evropian për “shfrytëzim seksual”.
Gjatë aksioneve në Barcelonë, Madrid dhe Toledo në Spanjë, si dhe në Zagreb të Kroacisë, u arrestuan 30 persona, përfshirë udhëheqësit e dyshuar të rrjetit.
Kriminaliteti përgjatë kësaj rruge ishte një nga arsyet përse Britania e Madhe vendosi sanksione në tetor ndaj disa grupeve kriminale ballkanike, duke shënjestruar falsifikues pasaportash dhe rrjete që siguronin pajisje për varka të vogla, të cilat përdoren për kontrabandimin e migrantëve.
Për herë të parë, Londra dërgoi oficerë të sigurisë kufitare në Ballkan për të ndihmuar në shkatërrimin e këtyre rrjeteve.
Frontex, gjithashtu, vendosi mbi 100 oficerë përgjatë kufijve të Bosnje dhe Hercegovinës këtë vit.
Këto masa sigurie kanë çuar në uljen e ndjeshme të numrit të përgjithshëm të migrantëve.
Sipas Frontex-it, në vitin 2025 janë regjistruar 47% më pak kalime të paligjshme kufitare krahasuar me vitin e kaluar.
Komisionari evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, tha se numri i përgjithshëm i kalimeve të paligjshme është ulur për 90% gjatë tre vjetëve të fundit.
Megjithatë, ndryshe nga kjo prirje, numri i migrantëve nga Kina është duke u rritur.
Sipas Harthit, nga organizata “Safeguard Defenders”, kjo ndodh për shkak të “rënies së ekonomisë së brendshme të Kinës, mungesës së mundësive për përparim social dhe pamundësisë për të kërkuar mbrojtje ligjore ndaj padrejtësive, si konfiskimet e paligjshme të tokave, pagat e papaguara dhe korrupsioni i zyrtarëve”./ REL (A2 Televizion)
