
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, ka thënë se autoritetet turke kanë nxjerrë trupat e 19 personave, nga vendi i rrëzimit të avionit ushtarak.
Sipas mediave të huaja, incidenti ndodhi përgjatë kufirit Gjeorgji-Azerbajxhan dhe avioni që u rrëzua, ishte një avion mallrash.
Erdogan tha gjithashtu se vijojnë kërkimet për viktimat të tjera, trupat e të cilave nuk janë gjetur akoma, shkruan A2 CNN.
Duke folur të mërkurën në një takim të krerëve të krahinave të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në kryeqytetin Ankara, Erdogan tha se kutia e zezë e avionit është gjetur dhe se kanë filluar hetimet.
“Puna e vazhdueshme në vendin e rrëzimit po monitorohet nga afër dhe të gjitha hetimet e nevojshme do të bëhen me përpikmëri, për të sqaruar çdo aspekt të incidentit”, tha Erdogan.
Presidenti vuri në dukje gjithashtu se do të vazhdojnë përditësimet e rregullta për publikun mbi rrëzimin e avionit nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë dhe Drejtoria e Komunikacionit. (A2 Televizion)
