Moska: Ukrainasit shkatërruan urën në Kursk me raketa amerikane “HIMARS”

Nga A2 CNN
17 Gusht 2024, 17:29 | Bota

Moska: Ukrainasit shkatërruan urën në Kursk me raketa amerikane

Ukraina mund të ketë përdorur raketa të furnizuara nga SHBA për të shkatërruar dy ura kryesore në rajonin Kursk të Rusisë në lumin Seym. Ky është pretendimi i Kremlinit, me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova që përmes Telegramit tha se “për herë të parë, rajoni i Kursk u godit nga raketahedhës të prodhimit perëndimor”.

Moska pretendon se raketat e lëshuara mbi Kursk janë goditur me shumë gjasa nga sistemi amerikan “HIMARS”.

Si rezultat i sulmit në urën mbi lumin Shem në rajonin e Glushkovës, ajo u shkatërrua plotësisht dhe vullnetarë që ndihmonin popullatën civile u vranë”, thotë më tej Zakharova.

Shtetet e Bashkuara , të cilat kanë thënë se nuk mund të lejojnë Vladimir Putin të fitojë luftën që nisi në shkurt 2022, deri më tani e kanë parë ofensivën ushtarake të Ukrainës si një "lëvizje mbrojtëse" që justifikon përdorimin e armatimit amerikan.

Ukrainasit në krahun tjetër pretendojnë se avancimi i befasishëm në zonat kufitare ruse synon të bindë Moskën që t'i bashkohet bisedimeve "të drejta" për luftën në Ukrainë, ndërsa forcat ruse po afrohen në qytetin strategjik të Pokrovsk në rajonin e Donetskut.

"Ne duhet t'i shkaktojmë humbje të rëndësishme taktike Rusisë", shkroi në Telegram këshilltari i presidentit ukrainas, Mykhailo Podoliak.

Në rajonin e Kurskut, ne shohim qartë se si mjeti ushtarak përdoret objektivisht për të bindur Federatën Ruse që të hyjë në një proces të drejtë negocimi. Ne kemi mjete të dëshmuara, efektive të detyrimit. Përveç asaj ekonomike dhe diplomatike, ne duhet t'i shkaktojmë humbje të rëndësishme taktike Rusisë”, nënvizoi ai.

Rusia, nga ana e saj, e sheh pushtimin ukrainas si prishje të planeve për të mbajtur bisedime indirekte në Katar të cilat do ti jepnin fund sulmeve në infrastrukturën kritike.

Sipas Washington Post, që citon burime zyrtare, Ukraina dhe Rusia do të dërgonin delegacione në Doha këtë muaj për të negociuar një marrëveshje historike që do t'i jepte fund goditjeve në infrastrukturën energjetike dhe elektrike nga të dyja palët, duke arritur në një armëpushim të pjesshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos