Benjamin Netanjahu nuk i përshtatet më Izraelit. Ky është qëndrimi i udhëheqësit të shumicës në Senatin amerikan Chuck Shumer. Në një fjalim të tij, demokrati hebre dhe mbështetës i Izraelit, i tha Senatit amerikan, se Izraeli ka nevojë për zgjedhje të reja, pasi kryeministri aktual është një pengesë për paqen.
"Duhet të ketë një debat të ri për të ardhmen e Izraelit pas 7 tetorit. Një pengesë e madhe për paqen është kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili shumë shpesh është përkulur ndaj kërkesave të ekstremistëve si ministrat Smotrich dhe kolonët në Bregun Perëndimor", tha Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës së senatit SH.B.A.
Schumer tha se do të ishte një "gabim i rëndë" për Izraelin që të refuzonte një zgjidhje me dy shtete dhe u kërkoi negociatorëve në konfliktin Izrael-Gaza të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar një armëpushim, për të liruar pengjet dhe për të marrë ndihmë në Gaza.
Demokratët, përfshirë presidentin Joe Biden, përballen me kritika të forta nga brenda partisë, për mbështetjen e pakushtëzuar të Uashingtonit për Izraelin, duke pasur parasysh ndikimin mbi civilët palestinezë të sulmit të Izraelit në Gaza.
Administrata e Biden është gjithashtu e pakënaqur me rezistencën e palëkundur të Netanyahut ndaj thirrjeve të SHBA për të mbështetur një zgjidhje me dy shtete, të cilën SHBA e sheh si thelbësore për të ndihmuar në fundin e konfliktit dhe arritjen e paqes së qëndrueshme. (A2 Televizion)