Ngec dhe plani i paqes, palestinezët në Gaza nuk gjejnë qetësi, përmbytje apokaliptike

Nga Xhevahir Qardaku
12 Dhjetor 2025, 14:12 | Bota

Njerëzit në Gaza nuk po gjejnë qetësi pasi u shpëtuan bombave dhe luftës. Reshje të dendura shiu, stuhi, përmbytje dhe kushte çnjerëzore raportohen në pjesë të ndryshme. Palestinezi i zhvendosur Youssef Tawtah dhe familja e tij prej nëntë anëtarësh nuk mundën të flinin gjatë natës në Nuseirat të Gazës, teksa situata humanitare po bëhet gjithnjë e më e rëndë.

“Askush prej nesh nuk fjeti mbrëmë, fëmijët tanë, gratë dhe ne qëndruam në ujë. Nuk jam vetëm unë, por i gjithë kampi. Ushqimi ynë është shkatërruar. Nëse doja të zhvendosja fëmijët dhe gruan, nuk mundem. Fqinji im është përmbytur gjithashtu. Nuk mund të bëjmë asgjë, jemi të pafuqishëm”, tha ai, shkruan A2 CNN.

Shira të rrëmbyeshëm përfshinë Rripin e Gazës që nga e enjtja. Zyrtarët lokalë dhe të mbrojtjes civile thanë se nuk ishin në gjendje të përballonin stuhinë për shkak të mungesës së karburantit dhe dëmtimit të pajisjeve. Ata theksojnë se Izraeli shkatërroi qindra automjete, duke përfshirë buldozerë dhe të tjerë të përdorur për të pompuar ujë, gjatë luftës, e cila zhvendosi pjesën më të madhe të popullsisë prej mbi dy milionë banorësh dhe la pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja.

Dy muaj pas fillimit të një armëpushimi të imponuar nga amerikanët, Gaza është bllokuar në fazën e parë të planit të paqes të Donald Trump. Territori palestinez është i ndarë midis palëve ndërluftuese, teksa ende nuk po vendoset për nisjen e fazës pasuese që përcakton rindërtimin dhe menaxhimin e territorit. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur që Hamasi duhet të kthejë të gjithë pengjet e Izraelit, të gjallë dhe të vdekur, përpara se të dyja palët të kalojnë në fazën tjetër, më të vështirë, të marrëveshjes së paqes. Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin jep alarmin pas përmbytjeve se mungesa e kullimit dhe menaxhimit të mbeturinave gjithashtu rriti rrezikun e shpërthimit të sëmundjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos