Duke folur për Reformën Territoriale, deputeti i PD Klevis Balliu tha se Partia Socialiste nuk kreu dëgjesa me qytetarët, pasi e pa që njerëzit ishin kundër shkrirjes së bashkive.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Balliu tha se PD ka dorëzuar platformën dhe zgjidhjen e saj prej kohësh në Parlament.
“Nuk duhet të ishte mbyllur ai komision pa mbyllur dëgjesat, sepse ishte detyrim i komisionit për të mbyllur dëgjesat. Këta e panë që në dëgjesa dilnin blozë. Njerëzit u suleshin, si po na hiqni bashkinë. Ne e kemi patur platformën dhe zgjidhjen tonë. E kemi dorëzuar në Parlament, në momentin që këta e mbyllën, se nuk mund të dorëzosh projektin para se të mbyllësh dëgjesat. Mazhoranca e mbylli sepse e pa që në dëgjesa dilnin keq. Tani po qartësohen edhe këta të PS-së. Ata e kuptuan si po u largohej shërbimi nga shtëpia e vet. Si mund të shkojë ai nga Përrenjasi të marrë shërbim në Librazhd?!”, tha Balliu. (A2 Televizion)