Sulmohet Ambasada e SHBA në Riad, Trump: Jemi plot municione, mund të luftojmë pafundësisht

Nga Rosalba Bejdo
3 Mars 2026, 11:37 | Bota

Shpërthime të reja u regjistruan në Iran, teksa ushtria izraelite konfirmoi se kishte ndërmarrë sulme ajrore kundër Teheranit dhe kryeqytetit libanez, Beirut… IDF njoftoi se valë sulmesh simultane të shënjestruara po zhvilloheshin në ditën e katërt të luftës, e cila është zgjeruar me hapjen e fronteve të reja.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se kryeministri Netanjahu kishte autorizuar avancimin e trupave tokësore në Liban, në mënyrë që të parandalohej zjarri ndaj komuniteteve kufitare izraelite.

Siç raportohet, trupat tokësore kanë hyrë duke marrë në kontroll pika strategjike. Kryeministri Netanjahu, në një reagim të fundit, deklaroi se lufta në Iran nuk do të vazhdojë pa afat dhe se do të përfshijë veprim të vendosur e të shpejtë.

Netanjahu: "Kam thënë se mund të jetë e shpejtë dhe vendimtare. Mund të duhet pak kohë, por nuk do të duhen vite. Nuk është një luftë e pafundme. Në fakt, është një përpjekje tani për tani për të arritur paqen që të gjithë e dëshirojmë dhe lutemi."

Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kanë kapacitetet për të vazhduar pafundësisht këtë luftë.

Më thanë se kemi praktikisht një sasi të pakufizuar të këtyre armëve dhe luftërat mund të vazhdojnë përgjithmonë, me sukses të madh, duke përdorur vetëm këto rezerva që janë më cilësore se armët më të mira të vendeve të tjera”, ishin fjalët e Trump.

Ndërkohë, Irani vijon të godasë objektiva në Izrael dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza amerikane. Ministria e Mbrojtjes në Arabinë Saudite ka konfirmuar se ambasada amerikane në Riad ishte goditur nga 2 dronë.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social X, ministria tha se goditja kishte shkaktuar zjarr të limituar dhe dëme të vogla materiale në godinë. Misioni amerikan në Arabinë Saudite njoftoi pezullim të shërbimeve konsullore në Jeddah, Riad dhe Dhahran, duke thënë se do të limitojë udhëtimet jo të domosdoshme drejt çdo instalimi ushtarak në rajon.

Është mbyllur edhe ambasada amerikane në Kuvajt, e cila u vu po ashtu në shënjestër të një sulmi iranian. Barrën më të madhe të zjarrit iranian po e mbajnë fqinjët e Republikës Islamike, përfshirë Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Bahreinin, që kanë raportuar interceptimin e qindra dronëve dhe raketave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos