Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u takua me Presidentin kinez Xi Jinping dhe Presidentin rus Vladimir Putin në një samit trepalësh të konsideruar historik, gjatë mbajtjes së takimit të APEC-ut në Shenzhen të Kinës. Bisedimet e tre udhëheqësve zgjatën rreth një orë dhe trajtuan tema duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për të parandaluar një luftë bërthamore.
Trump, Xi dhe Putin u ulën përballë njëri-tjetrit në një tryezë të madhe të rrumbullakët. Secili mbajti një deklaratë hapëse. "Ne po bëjmë vërtet histori", tha Trump. "Ne të tre kemi shumë për të diskutuar. Paqja nuk është arritur kurrë duke refuzuar mundësitë për dialog." Trump deklaroi se të tre vendet ishin "në një pozicion unik" për të zvogëluar numrin e armëve bërthamore në mbarë botën.
"Si tre fuqitë më të mëdha bërthamore në botë deri më tani, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina janë në një pozicion unik për të diskutuar se si të zvogëlojnë numrin e armëve bërthamore në Tokë, dhe gjithashtu për të zvogëluar rrezikun që këto armë të përdoren ndonjëherë, një fuqi është e pabesueshme, e paimagjinueshme".
Nga ana e tij Putin deklaroi se të tre vendet kishin "interesa të shumta të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, përfshirë, sigurisht, atë në Ukrainë". Ai mbështeti bashkëpunimin mes palëve.
“Tre kombet tona janë të bashkuara jo vetëm nga statusi ynë si fitues në Luftën e Dytë Botërore, por, më e rëndësishmja, nga një përgjegjësi e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Duke qenë ndër themeluesit e Kombeve të Bashkuara, ne mbajmë detyrën e ruajtjes dhe forcimit të sistemit të së drejtës ndërkombëtare që mori formë së bashku me themelimin e kësaj organizate universale, një sistem që përfshin Kartën e OKB-së dhe parimet e mishëruara në të".
Ndësa Xi theksoi rëndësinë e një harmonie mes superfuqive.
“Bota po kalon ndryshime të shpejta të papara në një shekull. Bota nuk është paqësore dhe sfidat zbulojnë lidership të vërtetë. Si fuqi të mëdha botërore dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tre kombet tona duhet të udhëheqin me shembull, të bashkëpunojnë për të adresuar sfidat globale, të mbrojnë së bashku paqen dhe stabilitetin botëror dhe të japin kontribute më të rëndësishme në progresin e njerëzimit.”
Kjo ishte hera e parë që presidentët e tre vendeve takoheshin për një samit. Vetë fakti që ky takim u zhvillua konsiderohet një sukses diplomatik për Putinin, i cili kishte qenë prej kohësh i izoluar politikisht për shkak të luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë. Në Ukrainë, Evropë dhe Tajvan, ekziston frika se tre fuqitë e mëdha mund të bëjnë marrëveshje që do të ishin të dëmshme për to. (A2 Televizion)