Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai francez Emmanuel Macron, treguan dallime të thella në qasjen e tyre ndaj Ukrainës, duke ekspozuar ndasitë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës lidhur me përpjekjen e Trump për një marrëveshje të shpejtë armëpushimi me Rusinë.
Gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë të hënën, dy liderët treguan se e kishin ruajtur raportin miqësor disavjeçar, por kreu i Elizesë e bëri të qartë se nuk ishte dakord me Trump sa i përket disa çështjeve të rëndësishme në 3-vjetorin e luftës ruse në Ukrainë. Presidenti amerikan refuzoi t’i referohej Putinit si një diktator, ndërkohë që një javë më parë një epitet të tillë e kishte përdorur për liderin ukrainas Zelensky.
Macron i cili e quajti Rusinë agresorin në konflikt, tha se e duan paqen, por se ajo nuk mund të vijë me kapitullimin e Ukrainës: “Ne duam paqe. Por, paqja nuk mund të nënkuptojë kapitullimin e Ukrainës dhe nuk mund të jetë një armëpushim pa garanci. Paqja duhet të përfshijë kushte për sovranitetin ukrainas, duke lejuar Ukrainën të negociojë me të gjithë aktorët mbi çështjet që e shqetësojnë”.
Trump shprehu dëshirën që armëpushimi të arrihej sa më shpejt që të jetë e mundur dhe tha se po përpiqej të mundësonte një të tillë mes Kievit dhe Moskës. Ai tha se do të shkonte në Rusi për të takuar Putinin pasi marrëveshja të arrihej: “Fokusi ynë është të arrijmë armëpushimin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që të jetë një paqe e përhershme. Takimi im me Macron ishte një tjetër hap i rëndësishëm në këtë aspekt, pasi ai ka qenë shumë i përfshirë që prej fillimit”.
Por, teksa tregoi një qasje të ndryshme ndaj çështjes, krahasuar me Trump, duket se Macron i beson Presidentit amerikan, pasi në një intervistë pas bisedimeve të zhvilluara me të, tha se paqja mund të arrihej javët në vazhdim. Dy udhëheqësit u dakordësuan gjithashtu mbi dërgimin e trupave paqeruajtëse europiane pasi ujdia të arrihej.
“Ata nuk do të qëndronin përgjatë frontit të luftës”, siguroi Macron, ndërsa Trump tha se si ai, ashtu edhe Putin, e pranojnë një koncept të tillë. (A2 Televizion)