
Shtetet e Bashkuara po ofrojnë një shpërblim deri në 20 milionë dollarë për këdo që jep informacione mbi programin bërthamor të Iranit, pavarësisht deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan, Donald Trump, se aftësitë bërthamore të Teheranit janë shkatërruar plotësisht.
Programi “Rewards for Justice” (Shpërblime për Drejtësi), në varësi të Departamentit amerikan të Shtetit, po kërkon informacione mbi objektet bërthamore të Iranit, pajisjet dhe personelin e përfshirë në këtë program. Në një postim të publikuar të premten në rrjetet sociale, programi bëri të ditur se informatorëve mund t'u ofrohet edhe mundësia e zhvendosjes dhe mbrojtjes.
Gjatë konfliktit 12-ditor vitin e kaluar, Trump nxitoi të deklaronte se objektet kryesore të pasurimit të uraniumit në Iran ishin “shkatërruar plotësisht dhe tërësisht”. Ai e përsëriti këtë vlerësim edhe në disa raste të tjera, duke sulmuar mediat, përfshirë CNN, për vënien në dyshim të pretendimeve të tij.
Edhe gjatë konfliktit të këtij viti, SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan sërish objektet bërthamore iraniane. Trump ka bërë deklarata të reja se kërcënimi nga Irani është neutralizuar. Të premten, ai u tha gazetarëve: “Nëse nuk do ta kishim goditur Iranin, sot nuk do ta kishit Izraelin”.
Megjithatë, nisma e Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe vlerësimet e pavarura, tregojnë se shqetësimet për programin bërthamor të Iranit vijojnë të mbeten. Teherani ka këmbëngulur vazhdimisht se programi i tij ka qëllime paqësore.
Vitin e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) raportoi se Irani po pasuronte uranium deri në nivelin 60% të pastërtisë. Sipas një deklarate të programit “Rewards for Justice”, ky nivel përbën “një hap të shkurtër teknik nga niveli 90% që kërkohet për prodhimin e një arme bërthamore”.
“Irani është i vetmi shtet që nuk zotëron armë bërthamore, por që prodhon uranium në një nivel kaq të lartë pasurimi. Ekspertët vlerësojnë se kjo sasi, nëse pasurohet më tej, mund të jetë e mjaftueshme për prodhimin e disa armëve bërthamore”, thuhet në deklaratë.
Programi amerikan i referohet gjithashtu “humbjes së vazhdimësisë së njohurive mbi prodhimin dhe inventarin e Iranit për komponentë kyç, si centrifugat”, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të Teheranit ndaj Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. (A2 Televizion)