
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar sot nga studentët dhe opozita para Kryeministrisë, duke përshëndetur pjesëmarrësit dhe duke e cilësuar tubimin si një përgjigje ndaj akteve të qeverisë.
Përmes një deklarate, Berisha falënderoi mijëra studentë dhe qytetarë, të cilët sipas tij, hodhën në koshat e plehrave aktet e miratuara nga kryeministri Edi Rama, që synonin të ndalonin revoltën studentore.
“Do të përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së tha se kishte bindjen se studentët dhe qytetarët e Tiranës do t'u përgjigjeshin akteve të qeverisë duke i shpërfillur dhe hedhur në koshat e plehrave.
"Kisha bindjen më të madhe se qytetarët, se studentët dhe studentet, qytetarët e Tiranës do t'u jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave akteve antikushtetuese, antiligjore, me të cilat Edi Rama mendonte se do mund të gjejë mburojë, mbrojtje, mendoi se do mund të ndalojë protestën".
Berisha paralajmëroi gjithashtu se Partia Demokratike nuk do të respektojë asnjë akt që, sipas tij, bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe kufizon liritë e garantuara prej saj dhe Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike”, u shpreh ai.
(A2 Televizion)