Protestë kundër Netanjahut, Izraeli sulmon ashpër gazën, lufta po rinis sërish

Nga Xhevahir Qardaku
19 Mars 2025, 13:41 | Bota

Izraeli po kthen sërish luftën e plotë në Rripin e Gazës në mes të muajit të shenjtë të ramazanit. Të paktën 13 persona u vranë në sulmet ajrore të kryera gjatë natës në enklavën palestineze.

Nuk janë kursyer as civilët që jetojnë në tenda, konfirmon Kryqi i Kuq. Ushtria e Tel Avivit pretendon se ka goditur shënjestra, të cilat i quajti zona ushtarake të Hamasit, prej ku grupimi mendohet se po përgatisje sulme kundër Izraelit. Këto zhvillime vijnë pasi kryeministri Benjamin Netanjahu konfirmoi se luftimet do të rinisin me fuqi të plotë duke shkaktuar kërcënimin se “ky është vetëm fillimi”.

Bombardimet nuk ishin në shkallën e njëjtë me ato të së martës, ku u raportuan mbi 400 persona të vrarë. Sulmet e një dite më parë u konsideruan si më të rëndat që prej arritjes së armëpushimit të brishtë dhe ujdisë për shkëmbimin e pengjeve që hyri në zbatim në 19 janar.

Aktualisht Izraeli dhe Hamasi kanë dështuar në arritjen e një plani për të kaluar në fazën e dytë të armëpushimit, që do të përfshinte tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza. Ndërkohë, kryeministri Netanjahu është përballur me një zemërim nga protestuesit jashtë parlamentit në Jerusalem, pasi vendosi rinisjen e luftës në Gaza.

Një nga banerat lexonte këtë frazë: “E ardhmja e koalicionit apo e ardhmja e Izraelit”. Kjo i referohet akuzës së lëshuar ndaj Netanjahut se ka prioritet më të madh qëndrueshmërinë e qeverisë së tij se sa sigurinë e vendit dhe jetën e pengjeve izraelite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos