Të dielën sërish takim në Arabi, Rusia dhe Ukraina lëshojnë sulme ajrore pas telefonatës së paqes

Nga Xhevahir Qardaku
19 Mars 2025, 12:10 | Bota

Qetësia ka zgjatur vetëm pak orë pas telefonatës së paqes. Rusia dhe Ukraina zhvilluan sulme ajrore duke dëmtuar infrastrukturën e njëra-tjetrës, pasi presidenti Vladimir Putin refuzoi një propozim të SHBA-së për një armëpushim 30-ditor. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se Rusia kishte në shënjestër "infrastrukturën civile" gjatë natës, duke përfshirë një spital në Sumy.

Putin ra dakord për një pauzë 30-ditore në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike gjatë një telefonate me Donald Trump të martën, por hodhi poshtë një armëpushim më të plotë. Bisedimet për Ukrainën do të vazhdojnë të dielën në Arabinë Saudite, thotë i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff. Gjatë bisedës, Putin dhe Trump ranë dakord gjithashtu që Ukraina dhe Rusia do të shkëmbenin 175 të burgosur secila sot.

“Ne u pajtuam për një armëpushim të menjëhershëm për të gjithë infrastrukturën energjetike, me mirëkuptimin se do të punojmë shpejt për të patur një armëpushim të plotë dhe, në fund të fundit, një përfundim të kësaj lufte shumë të tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo luftë nuk do të kishte filluar kurrë nëse unë do të isha president. Shumë elementë të marrëveshjes së paqes u diskutuan, përfshirë faktin që mijëra ushtarë po vriten, dhe të dy presidentët, Putin dhe Zelenskim do të dëshironin që kjo të marrë fund. Ai proces tani është në fuqi dhe efekt të plotë, dhe ne, me shpresë, për hir të njerëzimit, do ta përfundojmë këtë punë!”, tha Donald Trump, President i SHBA.

Kremlini tha në një deklaratë se të dy udhëheqësit kishin një "shkëmbim të detajuar dhe të sinqertë të pikëpamjeve" për Ukrainën gjatë një telefonate në të cilën Putin kishte thënë se zgjidhja e konfliktit duhet të jetë "gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe afatgjatë", duke marrë parasysh interesat e sigurisë së Rusisë dhe shkaqet rrënjësore të luftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos