Në prag të takimit me të dërguarin e posaçëm të SHBA, Steve Wittkoff në Moskë, Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një arritje të rëndësishme të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Shefi i Kremlinit vlerësoi atë që sipas komandantëve ishte pushtimi i plotë i qytetit strategjik të Pokrovsk. Për Putinin, kjo është një fitore shumë e rëndësishme pas një beteje të gjatë që do të ndihmojë Moskën të përmbushë objektivat më të gjera në luftë. Rusia, e cila përdor emrin e kohës sovjetike Krasnoarmeysk për t’iu referuar qytetit, është përballur me rezistencë të fortë në luftën për ta pushtuar atë që prej mesit të vitit 2024.
“E dimë të gjithë sa i rëndësishëm është Pokrovski. Kapja e tij do të mundësojë të çojmë përpara objektivat që kemi vendosur në fillim të operacionit special ushtarak”, tha Putin, shkruan A2.
Rënia e qytetit, nëse konfirmohet, i jep Moskës një plaftormë për të avancuar më thellë drejt qyteteve më të mëdha ende në duart e Ukrainës në rajonin e Donjetsk, Kramatorsk dhe Sloviansk.
Njoftimi vjen teksa Presidenti rus Putin takohet sot në Moskë me Wittkof, pasi Shtëpia e Bardhë u shpreh optimiste mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje për Ukrainën. I pranishëm do të jetë edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, i cili ka punuar si këshilltar i jashtëm në përpjekjet diplomatike.
Bisedimet në Moskë pasojnë ato që u mbajtën në Florida gjatë fundjavës mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas, me synim modifikimin e një planit që është parë si shumë i favorshëm ndaj Rusisë.
Presidenti ukrainas i cilësoi bisedimet si konstruktive, por tha se duhet të punohet ende mbi disa çështje shumë të vështira.
Duke folur pas një takimi me Presidentin francez në Paris të hënën, Zelensky tha se prioritetet kyçe në bisedime ishin ruajtja e sovranitetit të Ukrainës dhe garancitë e forta të sigurisë. Ai e cilësoi çështjen territoriale si elementin më të vështirë të ujdisë.
(A2 Televizion)