
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, i kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të mërkurën në Pekin, me qëllim për t’i thelluar lidhjet strategjike dhe ekonomike.
Por, Moska po kërkonte ta kthente simbolikën e samitit në përfitime konkrete në bashkëpunimin energjetik, në një kohë trazirash në tregjet globale të naftës dhe gazit si pasojë e luftës në Iran.
Megjithatë, pavarësisht premtimeve të përsëritura për miqësi dhe bashkërendim strategjik, vizita shtetërore e 20 majit përfundoi pa ndonjë përparim publik për gazsjellësin e vonuar tashmë: “Power of Siberia-2”. Ky projekt shumëmiliardësh vlerësohet nga Moska si jetik për ridrejtimin e eksporteve të gazit nga Evropa drejt Kinës pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022.
Bisedimet janë bllokuar vazhdimisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimet, kostot e ndërtimit, vëllimet e furnizimit dhe shqetësimeve të Pekinit për t’u bërë tepër i varur nga energjia ruse, përcjell A2.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se “parametrat bazë të mirëkuptimit” për gazsjellësin tashmë ekzistojnë, përfshirë rrugën dhe metodën e ndërtimit. Ai nuk dha më shumë hollësi dhe tha se nuk ka afat të qartë kohor për projektin, pasi “disa nuanca ende duhet të sqarohen”.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit thuhet vetëm se Putin dhe Xi “kanë rënë dakord të vazhdojnë thellimin e marrëdhënieve gjithëpërfshirëse të partneritetit në fushën e energjisë” dhe të “thellojnë bashkëpunimin e dobishëm për të dyja palët në fushat e naftës, gazit dhe qymyrit”.
“Rusisë i duhen të ardhurat nga tregtia shumë më tepër sesa Kinës i duhet energjia ruse”, tha për Radion Evropa e Lirë Henrik Wachtmeister, hulumtues në qendrën për Kinën në Institutin Ndërkombëtar të Suedisë.
Dy liderët nënshkruan një deklaratë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të “partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik”, si edhe një deklaratë tjetër që promovon një “rend botëror multipolar”.
Ata gjithashtu mbikëqyrën nënshkrimin e të paktën 20 marrëveshjeve shtesë që mbulojnë tregtinë, teknologjinë dhe bashkëpunimin më të gjerë.
Takimi erdhi vetëm katër ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u largua nga Pekini pas samitit të tij me Xinë, dhe retorika nga Kina dhe Rusia shton përpjekjet e Xisë për ta pozicionuar vendin e tij si një fuqi diplomatike globale.
“Koha e kësaj vizite shkoi vërtet mirë për Pekinin”, tha për REL-in Temur Umarov, bashkëpunëtor në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin. “Kina duket si qendra e botës ku po zhvillohen takimet më të rëndësishme gjeopolitike”.
“Fortesa strategjike”
Mungesa e përparimit konkret për gazsjellësin nënvizoi çekuilibrin qendror që rëndon mbi marrëdhënien.
“Rusia ka pak blerës alternativë [të energjisë] dhe e shet naftën e saj me zbritje për shkak të sanksioneve”, tha Wachtmeister. “Kina ka shumë furnizues dhe është, në përgjithësi, një ekonomi shumë më e madhe”.
Duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Sallën e Madhe të Popullit, Xi tha se Kina dhe Rusia duhet të mbeten “fortesa strategjike për njëra-tjetrën” dhe premtoi koordinim më të thellë në fusha përfshirë inteligjencën artificiale dhe inovacionin teknologjik.
Kina dhe Rusia duhet gjithashtu të veprojnë si “fuqi të mëdha të përgjegjshme” dhe të kundërshtojnë “çdo formë të bullizmit të njëanshëm dhe veprimet që përmbysin historinë”, tha Xi.
Putin, duke folur pas Xisë, tha se Rusia është e gatshme të vazhdojë furnizimet e pandërprera me naftë dhe gaz drejt Kinës dhe e përshkroi tregtinë dypalëshe si të mbrojtur nga “ndikimet e jashtme” dhe paqëndrueshmëria në tregjet globale.
Samiti projektoi imazhin e një afrimi politik në rritje midis Pekinit dhe Moskës në një moment kur të dyja qeveritë po përplasen gjithnjë e më shumë me Perëndimin.
Por, marrëdhënia është bërë dukshëm më pak e balancuar qëkurse Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Megjithatë, analistët thonë se varësia në rritje e Rusisë nga tregtia, teknologjia dhe financimi kinez e ka transformuar atë që Kremlini dikur e përshkruante si një partneritet mes të barabartëve në një marrëdhënie shumë më asimetrike.
“Ka varësi në rritje nga ana ruse dhe Kina po anon më shumë drejt Rusisë për energji për shkak të luftës në Iran”, tha Umarov. “Por, në aspektin strukturor, marrëdhënia e tyre është e qëndrueshme dhe kjo nuk duket se do të ndryshojë”.
Lufta në Iran ringjall debatin mbi furnizimet me gaz rus
Lufta në Iran dhe ndërprerjet në transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit kanë rritur shqetësimet në Pekin për sigurinë energjetike dhe kanë rikthyer paqëndrueshmërinë në tregjet globale të naftës dhe gazit.
Moska ka kërkuar ta përdorë krizën për të argumentuar se furnizimet shtesë tokësore të energjisë nga Rusia do të reduktonin varësinë e Kinës nga rrugët e cenueshme detare.
Rusia ka shtyrë prej vitesh finalizimin e gazsjellësit të propozuar “Power of Siberia-2”, i cili do të transportonte 50 miliardë metra kub gaz natyror në vit nga Siberia perëndimore drejt Kinës përmes Mongolisë.
Një memorandum i nënshkruar në shtator 2025 mes Gazprom dhe homologëve kinezë u paraqit nga zyrtarët rusë si një përparim i madh, por ai nuk përbënte një marrëveshje përfundimtare detyruese.
Hollësitë kyç mbeten ende të pazgjidhura dhe nga samiti nuk doli asnjë njoftim mbi projektin.
Rusia tashmë është furnizuesi më i madh i Kinës me gaz falë gazsjellësit “Power of Siberia-1”, i cili filloi operimin në vitin 2019 sipas një marrëveshjeje 30-vjeçare me vlerë 400 miliardë dollarë. Vendi është gjithashtu furnizuesi i tretë më i madh i Kinës me gaz të lëngshëm natyror pas Australisë dhe Katarit.
Rritja e ardhshme e madhe në kapacitetin e eksporteve ruse të gazit drejt Kinës pritet të vijë përmes projektit të gazsjellësit të Lindjes së Largët, i cili pritet të nisë operimet në vitin 2027 dhe gradualisht të rrisë furnizimet.
Në të njëjtën kohë, Kina ka zgjeruar blerjet e naftës së papërpunuar ruse me zbritje qëkurse Perëndimi vendosi sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Konflikti në Iran dhe ndërprerjet rreth Ngushticës së Hormuzit kanë nxitur gjithashtu blerje shtesë kineze të naftës ruse dhe gazit të lëngshëm natyror.
Megjithatë, analistët thonë se Pekini nuk ka gjasa të nxitojë drejt një angazhimi të madh të ri për gazsjellësin.
Kina ka kaluar vite duke diversifikuar importet energjetike, ndërsa ka rritur prodhimin vendas të naftës dhe gazit dhe ka zgjeruar me shpejtësi sektorët e energjisë së rinovueshme si energjia diellore, energjia e erës dhe automjetet elektrike.
“Në njëfarë mënyre, Rusia është përgjigjja, por Rusia është një përgjigje shumë e ngadaltë për Kinën, dhe ndoshta tepër e ngadaltë, veçanërisht nëse lufta në Iran zgjidhet brenda disa muajve të ardhshëm”, tha për REL-in drejtori i Institutit Kenan me bazë në Uashington, Michael Kimmage./ REL (A2 Televizion)