Themeluesi i Mango ra nga 100 metra lartësi, i biri arrestohet pas dy vitesh për vrasje

Nga A2 CNN
20 Maj 2026, 12:06 | Bota

Themeluesi i Mango ra nga 100 metra lartësi, i biri arrestohet pas dy

Jonathan Andic, djali i themeluesit të ndjerë të gjigantit spanjoll të modës Mango, është arrestuar të martën në lidhje me vdekjen e babait të tij në vitin 2024. Isak Andic, i cili themeloi kompaninë e njohur në mesin e viteve 1980, humbi jetën në moshën 71-vjeçare pasi ra në një humnerë prej 97 metrash në dhjetor të vitit 2024.

Ndalimi i Jonathan Andic u konfirmua për mediat nga Policia e Katalunjës në Spanjë. Aktualisht, i arrestuari shërben si nënkryetar i bordit drejtues të Mango-s, shkruan A2 CNN. Një zëdhënës i Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në Barcelonë deklaroi se çështja po hetohet zyrtarisht si vrasje.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i familjes Andic u shpreh se familjarët janë plotësisht të bindur për pafajësinë e Jonathan dhe konfirmoi se ai po bashkëpunon ngushtë me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes.

Gjatë seancës gjyqësore të mbajtur të martën në Martorell, jashtë Barcelonës, gjykatësi vendosi një garanci pasurore prej 1 milion eurosh (1,16 milion dollarë) për lirimin e tij, e cila sipas zëdhënësit të Gjykatës së Lartë “është paguar tashmë”. Megjithatë, ndaj tij janë vendosur masa kufizuese, gjykatësi ka urdhëruar dorëzimin e pasaportës dhe paraqitjen e detyrueshme javore përpara autoriteteve gjyqësore.

I lindur në Turqi, Isak Andic e themeloi Mango-n në vitin 1984, duke e kthyer atë në një perandori globale dhe një lider të industrisë spanjolle të modës, krahas markës Zara. Vitin e kaluar, kompania shënoi një rritje dyshifrore duke gjeneruar 3,8 miliardë euro qarkullim. Sipas revistës prestigjioze Forbes, Isak Andic zotëronte një pasuri prej 4,5 miliardë dollarësh në kohën kur ndërroi jetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos