Një hetim mbi dështimet e ushtrisë izraelite përpara sulmit shkatërrues të Hamasit të 7 tetorit 2023, ka nxjerrë në pah boshllëqet në mbledhjen e inteligjencës, supozime të gabuara rreth Hamasit dhe dështime "sistematike" në gatishmërinë dhe reagimin e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Raporti prej 19 faqesh i publikuar nga strukturat e ushtrisë izraelite tha se kishte boshllëqe në kuptimin e Drejtorisë së Inteligjencës për “qëllimet strategjike, proceset vendimmarrëse” dhe planet operacionale të Hamasit që kontribuan në dështimin e tij për të ndaluar sulmin më të madh terrorist në historinë e vendit.
Pavarësisht se kishte informacione relevante, komuniteti i inteligjencës nuk arriti të njohë kalimin e Hamasit nga një grup "i vendosur" dhe "pragmatik" në një grup që planifikon në mënyrë aktive një ofensivë në shkallë të gjerë, tha ai.
Raporti thekson se qysh në vitin 2016, Hamasi kishte filluar përgatitjet për "një sulm në shkallë të gjerë" që synonte të shkelte kufirin e Gazës, "të pushtonte territorin izraelit" dhe të shkaktonte viktima masive. Ai identifikoi disa raste kur treguesit e inteligjencës, të tilla si "stërvitjet" dhe planet operacionale të Hamasit, u "interpretuan keq" ose u hodhën poshtë si "jorealiste", thekson CNN. Këta tregues, po të ishin analizuar siç duhet, mund të kishin zbuluar synimet e Hamasit, thuhet në raport.
Sakaq, një sulm në një stacion autobusi në Izraelin verior plagosi 14 persona, njëri prej tyre në gjendje kritike, tha një zëdhënës i spitalit. 14 të plagosurit u transportuan fillimisht në Qendrën Mjekësore Hillel Yaffe përpara se dy pacientë, njëri në gjendje kritike, të transportoheshin me helikopter në Spitalin Sheba.
Policia e Izraelit tha se sulmuesi i dyshuar kishte motive nacionaliste dhe ishte një palestinez nga Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, i cili ishte i martuar me një shtetas izraelit. (A2 Televizion)