Dy ndeshjet e javës së ardhshme do të vendosin fatin e kuqezimëve në Ligën e Kombeve. Trajneri Rolando Maran ka publikuar listën me 27 emrat e thirrur për ndeshjen në 12 nëntor në Tiranë ndaj Finlandës dhe tre ditë më vonë në Bjellorusi.
Risia është mbrojtësi i Dinamos Hysni Ismaili ndërsa Ivan Balliu është tërhequr nga përfaqësuesja shqiptare. Pas një dëmtimi që e shqetësonte prej kohësh. Strakosha dhe Broja janë të dëmtuar ndërsa pjesë e listës nuk janë as Mehmeti, Kumbulla dhe Kerjota. Bajrami apo Hasani sërisht nuk e kanë bindur teknikun Maran për t'i ftuar. Në konferencën për shtyp trajneri italian komentoi zgjedhjet e tij ndërsa tregoi dhe pritshmëritë për dy ndeshjet e fundit në Nations League.
“Jam i bindur se është lista e duhur. Nuk do të thotë që kush nuk është në listë nuk mund të ishte i aftë për të qenë i gatshëm për të dhënë një kontribut për këtë fanellë. Duhet të jemi më konkret të kapitalizojmë atë që krijojmë, por do të mundohemi që të përmirësojmë këto të dhëna nëse është e mundur. Presioni është pozitiv. Duam të bëjmë mirë, të mbyllim mirë këtë grup në kryesim. Kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë. Jemi me motivimin e duhur”.
Maran mohoi të ketë pasur kontakte me portierin italian Elia Kaprile që tani është pajisur me pasaportë shqiptare, por derën e la të hapur.
“Jo, nuk kemi pasur kontakte, por është lojtarë që luan në kampionate të rëndësishme dhe në një moment tjetër mund t'i afrojmë”.
Aktualisht kuqezinjtë janë në kuotën e nëntë pikëve. Në grupin C1, Bjellorusia dhe Finlanda e ndjek pas me shtatë pikë, ndërsa San Marino pozicionohet i fundit me zero pikë. (A2 Televizion)