Një fillim premtues. Kështu e cilësuan Shtetet e Bashkuara raundin e ri të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, në Doha të Katarit.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, nga SHBA, Katari dhe Egjipti u takuan të enjten me delegacionin e Izraelit, mes përpjekjeve intensive për të ndalur gjakderdhjen dhe për të parandalaur hakmarrjen e Iranit për vrasjen e liderit politik Ismail Hanijeh.
Këshilltari për Sigurinë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se bisedimet kishin qenë një hap i rëndësishëm përpara, por se mbetet ende shumë punë, duke konsideruar kompleksitetin e marrëveshjes. Hamas, që nuk mori pjesë direkt në bisedimet e së enjtes, akuzon Izraelin se ka vendosur kërkesa të reja tek propozimi i mëhershëm i parashtruar nga Presidenti Joe Biden më 31 maj e që ishte pranuar në parim nga palët.
Përmes një zëdhënësi, grupi ka bërë të qartë se është i interesuar të diskutojë vetëm implementimin e propozimit të Biden. Një armëpushim në Gaza do të zbuste tensionet në rajon dhe sipas diplomatëve mund të bindte Teheranin dhe Hezbollahun në Liban të hiqnin dorë nga raprezalja e paralajmëruar kundër Tel Avivit.
Këshilltari për Sigurinë në SHBA tha se Irani kishte bërë përgatitjet dhe mund të sulmonte shpejt, pa paralajmëruar, dhe se retorika e tij duhej të merrej seriozisht.
Megjithatë, burime të Hezbollahut të cituar nga “Washington Post”, thonë se grupi militant që mbështetet nga Irani nuk do të ndërmarrë sulme gjatë bisedimeve në Katar. “Raprezalja mund të presë”, citohet të ketë thënë burimi.
Bisedimet e paqes zhvillohen ndërsa u bë e ditur se mbi 40 mijë vetë janë vrarë në operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. (A2 Televizion)