Nisi me prezantimin e një serie marrëveshjesh për armatime, me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, samiti dyditor i NATO-s në Ankara. Krerët evropianë përcollën mesazhin se po u përgjigjen thirrjeve të SHBA-së për të rritur shpenzimet për mbrojtjen, në prag të takimit vjetor që çelet zyrtarisht mbrëmjen e sotme.
Me muzikë ritmike dhe video promovuese të kuruara me kujdes në sfond, gjatë një forumi të industrisë së mbrojtjes në kryeqytet, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, prezantoi një sërë nismash, duke ftuar në skenë përfaqësues të vendeve anëtare. Marrëveshjet, të mbajtura kryesisht konfidenciale për të pasur një efekt më të madh gjatë samitit, përfshijnë blerjen nga vendet evropiane të dronëve të kompanisë amerikane Northrop Grumman, ndërsa NATO do të blejë avionë nga kompania suedeze Saab.
"Po ndërtojmë sisteme të fuqishme kundër dronëve, të afta për t'i zbuluar, identifikuar dhe neutralizuar ato. Në këtë mënyrë mbrojmë rreth 1 miliard qytetarë nga i gjithë spektri i kërcënimeve që paraqesin dronët. Sot po lançojmë edhe nismën 'NATO Drone Edge'. Në kuadër të kësaj nisme, vendet aleate do të investojnë mbi 40 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për të forcuar kapacitetet e tyre në fushën e dronëve", tha shefi i NATO-s, Mark Rutte, përcjell A2 CNN.
Po ashtu, Rutte bëri thirrje për një revolucion industrial të mbrojtjes transatlantike dhe u kërkoi kompanive të marrin më shumë rreziqe me investimet. Njoftimet adresojnë kritikat e vazhdueshme të Trump ndaj Evropës për kontribute të pamjaftueshme në mbrojtje dhe për mbështetje të tepruar te SHBA-ja sa i përket sigurisë përmes NATO-s, e cila ka garantuar mbrojtjen e kontinentit që prej viteve të para të Luftës së Ftohtë.
Presidenti Trump, i cili ka mbërritur në Ankara për samitin, e përforcoi mesazhin në një video të postuar në rrjetet sociale, ku i kërkoi Evropës të shpenzojë më shumë për mbrojtjen. Në një kthesë të madhe të qasjes, Trump pritet t'i thotë presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, se është i gatshëm t'i hapë rrugën rikthimit të Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35, një çështje që prej kohësh ka qenë një pikë e ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe. (A2 Televizion)