Rusia avancon në Ukrainë, Scholz: Duhet mbështetje afatgjatë për Kievin

Nga Erjon Dervishi
15 Shkurt 2025, 12:21 | Bota

Forcat ruse kanë avancuar më tej duke marrë kontrollin e dy vendbanimeve të vijës së frontit në rajonin lindor të Donetskut.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes. Një raport i ministrisë tha se forcat ruse kishin kapur fshatin Zelene Pole që ndodhet midis Pokrovsk, pika qendrore e sulmeve ruse në rajon, dhe Novosilka, një vendbanim që ushtria ruse tha se e pushtoi në fund të muajit të kaluar, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu, sipas raportit rus, u pushtua fshati Dachne, në perëndim të qytetit të Kurakhove, të cilin ushtria ruse tha se e pushtoi gjithashtu muajin e kaluar. Qyteti ishte nënshtruar disa javësh luftimesh të ashpra. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës, në një raport të së premtes tha se të dy fshatrat ishin midis 11 vendbanimeve që ishin nën sulmin rus në sektorin e Pokrovsk. Por nuk përmendi se ata ishin nën kontrollin rus. Blogu ushtarak i Ukrainës DeepState, i cili gjurmon pozicionet e vijës së frontit bazuar në raportet me burim të hapur, tha këtë javë se forcat ruse kishin bërë përparime pranë Zelene Pole dhe Dachne.

Lidhur me situatën e rënduar në Ukrainë ka folur edhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz. I pranishëm në ditën e dytë të Konferencës së Mynihut, Scholz tha se,  “Një fitore e Rusisë ose një shkatërrim i Ukrainës nuk do të krijonte paqe. Por kjo do të rrezikojë më tej paqen dhe stabilitetin – në Evropë dhe më gjerë, paqja do të jetë e mundur vetëm “nëse sigurohet sovraniteti i Ukrainës”, tha ai.

Kancelarja Scholz bëri thirrje gjithashtu për një rregullim të Paktit të Stabilitetit të BE-së në favor të shpenzimeve më të larta të mbrojtjes. Ai propozoi një përjashtim përkatës "për të gjitha investimet në pajisjet e mbrojtjes që janë mbi objektivin tonë të mëparshëm të NATO-s prej dy përqind," tha Scholz. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos