Shtetet e Bashkuara abstenuan në votimin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila shënonte përvjetorin e luftës në Ukrainë, pas disa ndryshimeve të miratuara në tekstin e saj.
Projekti i parë i rezolutës nuk e quante Rusinë agresore në luftë dhe nuk e njihte integritetin territorial të Ukrainës. Megjithatë, disa ndryshime u miratuan përpara votimit për të forcuar gjuhën kundër Rusisë dhe për të ribërë të qartë integritetin territorial të Ukrainës.
Rezoluta e ndryshuar, e hartuar nga SHBA-të, u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara pritet të hasin sërish kundërshtime nga aleatët e saj evropianë më vonë gjatë të hënës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku pritet të paraqesin të njëjtën rezolutë, që nuk e akuzon drejtpërdrejt Rusinë për luftën.
Një nga amendimet shtoi një paragraf që riafirmonte angazhimin për “sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë ujërat e saj territoriale.” Një tjetër amendim e ndryshoi gjuhën nga “humbja tragjike e jetëve gjatë konfliktit Rusia-Ukrainë” në “pushtimin e plotë të Ukrainës nga Federata Ruse.”
Këto zhvillime në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit vijnë në përvjetorin e luftës ruse ndaj Ukrainës. Kjo ndodh disa ditë pas një takimi të nivelit të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pa praninë e Ukrainës, për të diskutuar një proces për përfundimin e luftës. Po ashtu, i dërguari i posaçëm i SHBA për Ukrainën udhëtoi veçmas në Kiev pas takimit. (A2 Televizion)