SHBA dhe Rusia bëjnë paqe në Arabi, takimi Rubio-Lavrov për 4 orë: Ekipe për fundin e luftës në Ukrainë

Nga Xhevahir Qardaku
18 Shkurt 2025, 14:39 | Bota

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia shkrinë marrëdhëniet e ngrira në Arabinë Saudite. Takimi mes sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të jashtëm të Moskës, Sergej Lavrov, në Arabinë Saudite ka zgjatur për katër orë, shkruan A2 CNN.

Më pas u panë të dilnin për një pushim të shkurtër, që u shndërrua në një drekë pune. Kryediplomati Rubio konfirmoi se Uashingtoni dhe Moska u pajtuan në katër parime bazë:

1.            “Rivendosim funksionalitetin e misioneve tona përkatëse në Uashington dhe Moskë. Që ne të mund të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, duhet të kemi objekte diplomatike që funksionojnë normalisht.”

2.            “Ne do të caktojmë një ekip të nivelit të lartë për të ndihmuar në negociatat dhe punën për përfundimin e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë që të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e angazhuara.”

3.            “Të fillojmë të diskutojmë, mendojmë dhe shqyrtojmë bashkëpunimin gjeopolitik dhe ekonomik që mund të rezultojë nga përfundimi i konfliktit në Ukrainë”.

4.            “Ne të pestë që ishim këtu sot... do të mbetemi të angazhuar në këtë proces për t'u siguruar që po ecën përpara në një mënyrë produktive.”

Diplomatët nga Rusia kanë sqaruar se “ka nisur një dialog shumë konstruktiv dhe tepër pozitiv”. “Ndryshe nga administrata Biden, që kurrë nuk u përpoq të dëgjonte qëndrimin e Rusisë, kjo ishte një përpjekje e qartë për nisjen e dialogut për të kuptuar pozitën e Moskës dhe diskutuar gjërat, për të cilat mund të pajtohemi”, u shpreh, Juri Ushakov, këshilltari i presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai shtoi se takimi nuk ishte i keq, pasi palët zhvilluan një diskutim serioz për të gjitha çështjet, duke lënë të kuptohet se është folur dhe për Ukrainën. “Ne jemi pajtuar që të marrim parasysh interesat e njëri-tjetrit dhe të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe, pasi Moska dhe Uashingtoni janë të interesuar për këtë”, theksoi zyrtari rus. Ai shtoi më tej se palët ranë dakord që një “ekip i veçantë negociatorësh do të vendosë kontakte në kohën e duhur”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos