
Vatrat e zjarreve që kanë shpërthyer në Kanada po përhapin sasi të mëdha tymi në të gjithë Amerikën e Veriut, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa nga qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj situatës, duke deklaruar se SHBA-të po “pushtohen panevojshëm nga ajri i ndotur dhe i pashëndetshëm”, ndërsa akuzoi Kanadanë për “neglizhencë të qëllimshme” në menaxhimin e zjarreve.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë shtuar për shkak të ndikimit të tymit në territorin amerikan. Më herët, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, iu përgjigj kritikave të ligjvënësve amerikanë nga Michigani, duke thënë se në vend të ankesave, SHBA-të duhet të ofrojnë ndihmë për përballimin e emergjencës. “Ndoshta ajo që duhet të bëni në vend që të ankoheni është të dërgoni mbështetje”, deklaroi Ford.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po zhvillon takime joformale me zyrtarë të FIFA-s dhe institucione të tjera lidhur me shqetësimet për finalen e Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielën pranë Nju-Jorkut. Reja e dendur e tymit ka ngritur pikëpyetje për kushtet dhe ndikimin e mundshëm në organizimin e eventit.
Sipas të dhënave më të fundit, Detroiti, Çikago, Uashingtoni dhe Nju Jorku renditen ndër qytetet me cilësinë më të keqe të ajrit në botë. (A2 Televizion)