
Një 18-vjeçar dyshohet se është dhunuar rëndë nga njerku i tij në lagjen nr. 8 të qytetit të Korçës.
I riu është paraqitur në Spitalin Rajonal të Korçës me dëmtime serioze në kokë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Sipas të dhënave paraprake, autor i dyshuar i ngjarjes është 37-vjeçari Niko Baka, i cili është shoqëruar dhe ndaluar nga policia.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.
Në njoftimin e Policisë Korçë thuhet: "Plagosi me mjet prerës djalin e bashkëjetueses, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë lokalizohet dhe vihet në pranga 37-vjeçari. Rreth orës 21:55, në spital është paraqitur i dëmtuar në kokë, dyshohet me mjet prerës, shtetasi A. S., rreth 18 vjeç, i cili, sipas të dhënave paraprake, është dëmtuar gjatë një konflikti për motive të dobëta me njerkun e tij, shtetasin N. B., 37 vjeç. Pas ngjarjes, 37-vjeçari është larguar nga vendi i konfliktit. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe shoqërimi në Komisariat, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, i autorit të dyshuar të ngjarjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit".
(A2 Televizion)