Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump, duke thënë se vendosja e trupave të Koresë së Veriut nga Vladimir Putin kundër Ukrainës përfaqëson një kërcënim serioz jo vetëm për Evropën, por edhe për SHBA, me pasoja të mundshme në të gjithë rajonin Indo-Paqësor.
Rizgjedhja e Trump ka ngjallur frikën se Ukraina mund të mbetet e pambrojtur ndaj Kremlinit dhe të minojë garancitë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Duke folur me gazetarët të enjten, Rutte hodhi poshtë skenarët e rrezikshëm dhe shprehu shpresën për të krijuar një marrëdhënie të mirë pune me Trump.
Pentagoni vlerëson se rreth 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në rajonin Kursk të Rusisë, të cilin Ukraina e ka pushtuar pjesërisht dhe ky transferim i trupave nga Kim Jong un ka vënë në gatishmëri të lartë Kievin dhe Perëndimin.
“Rusia po dërgon teknologjinë më të fundit në Korenë e Veriut në këmbim të ndihmës së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës. Dhe ky është një kërcënim jo vetëm për pjesën evropiane të NATO-s, por edhe për territorin e SHBA-së”, është shprehur Rutte para gazetarëve në Budapest.
Rutte përmendi Kinën dhe Iranin, dy vende për të cilat Trump ka premtuar një politikë të vijës së ashpër, si partnerë shtesë në agresionin e Rusisë.
“Ne duhet të punojmë së bashku. Kështu që mezi pres të ulem me Donald Trump për të diskutuar se si mund t’i përballojmë këto kërcënime kolektivisht, çfarë duhet të bëjmë më shumë. Dhe po, një pjesë e kësaj – dhe këtu ai ka absolutisht të drejtë – do të jetë se në anën evropiane të NATO-s, ne do të duhet të shpenzojmë më shumë, të bëjmë më shumë për t’u siguruar që të arrijmë objektivat e kapaciteteve”, u shpreh më tej shefi i NATO-s. (A2 Televizion)