Shembet gropa e rërës që hapi për të luajtur, vdes 17-vjeçari në Itali

Nga A2 CNN
11 Korrik 2025, 07:36 | Bota

Shembet gropa e rërës që hapi për të luajtur, vdes

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në plazhin Montalto di Castro, në rajonin e Lacios në Itali, ku një 17-vjeçar nga Roma ka humbur jetën pasi u bllokua në një gropë me rërë që e kishte hapur vetë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një plazh të lirë, ku i mituri po pushonte së bashku me vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël.

Sipas mediave, adoleshenti kishte hapur një gropë rreth një metër e gjysmë të thellë për t’u argëtuar, por për fat të keq ajo u shemb dhe e zuri brenda.

Në atë moment, fëmijët e tjerë ishin larguar dhe djali kishte mbetur vetëm, ndërsa babai i tyre nuk e kishte kuptuar çfarë kishte ndodhur.

Kur babai vuri re mungesën e të birit, nisën kërkimet në zonë. Falë ndihmës së fëmijëve më të vegjël, vendndodhja e gropës u identifikua dhe filloi menjëherë përpjekja për ta shpëtuar adoleshentin.

Megjithatë, ndihma mbërriti tepër vonë. Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, zjarrfikësit dhe një helikopter me personel mjekësor, por 17-vjeçari u shpall i vdekur.

Tragjedia ka shkaktuar reagime të shumta dhe është bërë thirrje për më shumë kujdes dhe mbikëqyrje në plazhet e hapura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos