
Sulmet amerikano-izraelite kanë “shkatërruar plotësisht” një sinagogë në Teheran, sipas mediave iraniane, ndërsa sulmet në të gjithë Iranin kanë vrarë më shumë se një duzinë personash gjatë natës.
“Sipas informacioneve paraprake, Sinagoga Rafi-Nia u shkatërrua plotësisht në sulmet e këtij mëngjesi,” raportoi të martën gazeta Shargh. Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Mehr, sinagoga u shkatërrua kur një ndërtesë banimi ngjitur në qendër të Teheranit u godit. Ana izraelite e mohoi sulmin, duke thënë që ata nuk targetojnë objekte hebraike.
Pamjet treguan punonjës të mbrojtjes civile mes rrënojave, me libra në gjuhën hebraike të shpërndarë në tokë.
Raporti tha se për shkak të ngushtësisë së rrugëve përreth ndërtesës së goditur, edhe pjesa e jashtme dhe e brendshme e ndërtesave përreth u dëmtuan “rëndë”. Nuk pati menjëherë raportime për viktima.
Në një video të publikuar në Telegram nga media zyrtare iraniane IRIB News, Homayoun Sameh, një përfaqësues hebre në Asamblenë Konsultative Islamike të vendit, tha se “regjimi zionist nuk tregoi mëshirë ndaj këtij komuniteti gjatë festave hebraike dhe goditi një nga sinagogat tona të lashta dhe të shenjta.
“Fatkeqësisht, gjatë këtij sulmi, ndërtesa e sinagogës u shkatërrua plotësisht dhe rrotullat tona të Torës mbetën nën rrënoja,” tha ai.
Judaizmi është një nga fetë e pakicave të njohura ligjërisht në Iran dhe vendi ka një komunitet të vogël hebre, megjithëse shumë anëtarë u larguan pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Nuk ka shifra zyrtare të disponueshme publikisht, por mendohet se në Iran jetojnë disa mijëra hebrenj. Gazeta Shargh e quajti sinagogën “një nga vendet më të rëndësishme për hebrenjtë e Khorasanit për t’u mbledhur dhe festuar”, duke iu referuar provincës verilindore të Iranit. Sulmet ishin pjesë e një serie goditjesh amerikano-izraelite gjatë natës, në të cilat të paktën 15 persona u vranë në të gjithë Iranin, raportuan mediat lokale.
Gjashtë trupa janë nxjerrë nga rrënojat e ndërtesave në qytetin Pardis, në lindje të Teheranit, raportoi Mehr.
Zyrtarët lokalë thanë se nëntë persona u vranë në një sulm ajror izraelit mbi një lagje banimi në qytetin Shahriar, në perëndim të provincës së Teheranit. (A2 Televizion)