Kryeministri Edi Rama iu përgjigj në Kuvend kërkesës së opozitës për të diskutuar për protestën. Ai tha se protestat kundër qeverisë janë të natyrshme, ndërsa ironizoi opozitën duke thënë se protestuesit nuk e pranuan t’i afrohej protestës.
“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe të mos të të pranojnë t'i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme. Ky është një fakt që, qoftë edhe i vetëm, vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që nuk janë fare, jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
“Tani, zonja Tabaku, e cila është një zëdhënëse e palodhur e fjalës "vjedhje, vjedhje, vjedhje", sa herë që e përmend ajo këtë fjalë, aq herë unë mendoj me vete: Kush e di çfarë do të kishte vjedhur kjo zonjë po të kishte gjë në dorë, sepse vetëm nëse i ke bërë vetë ose nëse do t'i bëje vetë ato për të cilat akuzon në mënyrë shurdhuese të tjerët, mund ta përsërisësh aq shpesh fjalën "vjedhje".
Tha se unë paskam ardhur këtu për kartonin. Unë nuk kam ardhur këtu për kartonin. Unë kam ardhur këtu për të mbajtur fjalën hyrëse lidhur me një buxhet i cili, në plot kuptimin e fjalës, është historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë shteti shqiptar ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove”, shtoi ai. (A2 Televizion)