Shkon në 7 numri i ushtarëve izraelitë të vrarë në një shpërthim në Gaza

Nga A2 CNN
25 Qershor 2025, 09:35 | Bota

Shkon në 7 numri i ushtarëve izraelitë të vrarë në

Shtatë ushtarë izraelitë u vranë të martën në qytetin jugor të Gazës, Han Junis, kur mjeti i tyre i blinduar u godit nga një shpërthim, tha një zyrtar ushtarak izraelit të mërkurën.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti në përputhje me rregullat ushtarake, tha se emrat e gjashtë prej shtatë ushtarëve janë lejuar për publikim, ndërsa njëri ende po mbahet i fshehur.

Më shumë se 860 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit në Izrael - përfshirë mbi 400 gjatë luftimeve brenda Gazës.

Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Po ashtu, në zonën e Han Junisit, një ushtar u plagos rëndë të martën nga të shtëna armësh, njoftoi ushtria.

Brigadat al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, theksoi në kanalin e vet në Telegram se kishte ngritur pritë ndaj ushtarëve izraelitë që ishin strehuar në një ndërtesë banimi në jug të Rripit të Gazës.

Sipas Hamasit, disa ushtarë u vranë dhe të tjerë u plagosën pasi u sulmuan me një raketë Yassin 105 dhe një tjetër raketë në jug të Han Junis. Më pas, luftëtarët e al-Qassam goditën ndërtesën me mitraloza.

Nuk është e qartë nëse këto dy incidente janë i njëjti rast.

Sulmi vdekjeprurës ndodhi ndërsa numri i viktimave palestineze në Gazë kaloi shifrën 56.000.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha të martën se lufta 21-mujore e Izraelit ka vrarë 56.077 njerëz.

Izraeli thotë se shënjestron vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për viktimat civile, pasi ky i fundit operon në zona të populluara. Izraeli pretendon se mbi 20.000 militantë të Hamasit janë vrarë, por nuk ka dhënë prova për këtë pretendim. Hamasi nuk ka komentuar për numrin e viktimave të veta.

Hamasi e sulmoi jugun e Izraelit në vitin 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, shumica civilë, dhe duke i rrëmbyer 51 të tjerë.

Shumë pengje janë liruar përmes armëpushimeve apo marrëveshjeve të tjera./ REL

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos