Mëngjesin e 25 dhjetorit, një avari në kabllon nënujore Estlink 2, që lidhte rrjetet energjetike të Estonisë dhe Finlandës, shkaktoi uljen me dy të tretat të fluksit të energjisë elektrike drejt Estonisë. Megjithëse rezervat e kapacitetit shmangën një krizë të menjëhershme, shqetësimet për rritje çmimesh dhe ndikimet e mëtejshme u ndezën menjëherë. Përfaqësues të Estlink raportuan se riparimi mund të zgjasë muaj të tërë.
Vetëm një ditë më pas, zyrtarët finlandezë ndaluan një anije cisternë, Eagle S, nën flamurin e Ishujve Cook, duke e akuzuar për dëmtimin e kabllove. Anija, e cila transportonte naftë nga Rusia drejt Turqisë, dyshohet se kishte tërhequr spirancën mbi kabllon, një veprim që ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, e cilësoi si një “sulm hibrid” – një taktikë që, sipas tij, Rusia e ka përdorur më parë.
“Anijet e flotës së tyre të errët paraqesin një kërcënim, jo vetëm nga pikëpamja e sigurisë, por edhe nga ajo mjedisore,” deklaroi Pevkur për CNN.
NATO reagon me forcë
Incidenti i fundit shtyu NATO-n të nisë operacionin Baltic Sentry, një mision i posaçëm detar për të mbikëqyrur dhe mbrojtur infrastrukturën kritike nënujore në Baltik, shkruan A2 CNN. Brenda tre javësh, një grup luftanijesh u vendos në det, duke përfshirë edhe fregatën holandeze HNLMS Tromp. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi shqetësimin për një “kërcënim në rritje ndaj infrastrukturës sonë kritike nënujore”.
“Një pjesë e madhe e anijeve që kemi vëzhguar janë nisur ose po shkojnë drejt porteve ruse”, tha për CNN komandanti i misionit, Arjen S. Warnaar. Ai nënvizoi se disa prej këtyre anijeve kishin tërhequr spirancat për qindra milje, një veprim që, sipas tij, vështirë të jetë aksidental.
Ndërkohë, autoritetet suedeze sekuestruan një tjetër anije të dyshuar për sabotim të një kablloje komunikimi midis Suedisë dhe Letonisë.
Rusia mohon përfshirjen
Moska, nga ana e saj, ka mohuar çdo akuzë për përfshirje në sabotime të kabllove nënujore. Ambasada ruse në Londër e cilësoi operacionin e NATO-s si një përshkallëzim të panevojshëm, ndërsa avokati i pronarëve të Eagle S, Herman Ljungberg, i quajti akuzat “absurde” dhe theksoi se ngarkesa e anijes ishte plotësisht legale.
Por për Pevkur, është e qartë se Rusia kërkon të shpërqendrojë Perëndimin nga mbështetja ndaj Ukrainës. “Putini dëshiron që ne të merremi me problemet tona dhe jo me Ukrainën”, tha ai.
Rëndësia strategjike e kabllove nënujore
Nën Detin Baltik shtrihen dhjetëra kabllo jetike për komunikimin dhe energjinë, të cilat transportojnë më shumë se 95% të trafikut global të internetit dhe garantojnë tregti ndërkombëtare me vlerë 10 trilionë dollarë në ditë. Nëse një sulm i koordinuar do të ndodhte, pasojat mund të ishin katastrofike për shërbimet kritike, nga spitalet deri te policia.
Dëmtimi i vetëm një kablloje mund të zgjasë muaj për t’u riparuar dhe të ketë kosto të jashtëzakonshme, duke rrezikuar gjithashtu komunikimet e miliona njerëzve.
Teknologjia dhe diplomacia në ekuilibër
Operacioni Baltic Sentry po mbështetet nga teknologji të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për të ndjekur lëvizjet e anijeve dhe për të identifikuar sjelljet e dyshimta. “Reagimi ynë tani është çështje orësh, jo ditësh”, tha Kapiteni Niels Markussen i NATO-s. Por ai pranoi se mbetet një fije e hollë midis mbrojtjes dhe përshkallëzimit të situatës në luftë.
Për Estoninë dhe vendet e tjera baltike, kjo është më shumë se një çështje teknike – është një betejë për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal. A do të mundet NATO të mbrojë thellësitë e trazuara të Baltikut pa e përshkallëzuar më tej tensionin? Vetëm koha do ta tregojë. (A2 Televizion)