“Na duket sikur rilindëm!” Mijëra banorë të Gazës rikthehen në shtëpi

Nga Rosalba Bejdo
27 Janar 2025, 11:28 | Bota

Dhjetëra mijëra palestineze të shpërngulur po rikthehen në shtëpitë e tyre pasi Izraeli zhbllokoi rrugët kryesore që çojnë në veri të Gazës. Imazhet televizive treguan turma të mëdha teksa zhvendoseshin, me banorët e parë që mbërritën në qytetin e Gazës pas hapjes së pikë-kalimit të parë në 7 të mëngjesit.

Një tjetër vendkalim u hap më vonë. Sipas kushteve të marrëveshjes së armëpushimit, banorët në veri të Gazës duhej të ktheheshin në fundjavë, por Izraeli tha se Hamasi e kishte shkelur ujdinë, duke refuzuar të lironte pengun Arbel Yehud dhe e mbajti vendkalimin të mbyllur, transmeton A2 CNN. 

Më vonë gjatë së dielës negociatorët e Katarit thanë se Hamasi kishte pranuar të lironte Yehud dhe disa pengje të tjera para së premtes dhe se Izraeli do të lejonte kthimin e banorëve të shpërngulur në Gazën Veriore që prej mëngjesit të së hënës. Pas njoftimit se rrugët do të hapeshin, mijëra qytetarë të shpërngulur shpërthyen në brohorima në vendstrehimet e përkohshme apo kampe.

“Jemi shumë të lumtur që po rikthehemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë. Falenderojmë luftëtarët tanë dhe këdo që luftoi për ne. Zoti është i madh! Më duket sikur kam lindur sërish”, u shpreh një grua palestineze, përcjell A2 CNN.

Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu konfirroi se Yehud, ushtari Agam Berger dhe një tjetër peng do të liroheshin nga Hamas. Zyra e kryeministrit e bëri të qartë më vonë se Izraeli nuk do të tolerojë shkelje të marrëveshjes.

“Ne do të vazhdojmë të veprojmë për rikthimin e të gjitha pengjeve tonë, të vdekur e të gjallë”, thuhej në një deklaratë.

Sipas marrëveshjes, 650 mijë palestinezë në qendër dhe jug të Rripit të Gazës do të rikthehen në shtëpitë e tyre në veriun e copëtuar gjatë luftës 15 mujore. Mbi 47 mijë palestinezë janë vrarë në ofensivë sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos