Skena apokaliptike në Francë, evakuime masive nga zjarret, situatë kritike edhe në Spanjë

Nga Rosalba Bejdo
24 Korrik 2026, 15:25 | Bota

Alarmante situata me zjarret në Francë. Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e plotë të gadishullit Cap Ferret në jugperëndim të Francës, ndërsa zjarret masive vazhdojnë të përhapen me shpejtësi në rajonin e Gironde. Mbi 40 mijë persona janë larguar nga destinacioni i famshëm turistik, shumë prej tyre me anije, pasi flakët kanë përfshirë mbi 8 mijë e 700 hektarë tokë.

Sipas Ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nuñez, të paktën 80 banesa janë djegur, ndërsa rreth 50 prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Evakuime janë kryer edhe në qytete të tjera përreth, ndërsa mbi 23 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë, kampingjet dhe qendrat e pushimit në rajonin Landes.

Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi situatën si jashtëzakonisht të rëndë dhe njoftoi se Franca ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian. Në mbështetje pritet të mbërrijnë avionë zjarrfikës nga Kroacia, Portugalia, Çekia dhe Sllovakia.

Ndërkohë, edhe Spanja po përballet me një situatë kritike. Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare, pasi zjarret vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit në disa zona pranë Madridit, si Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias.

Kryeministri Pedro Sánchez tha se flakët po shkatërrojnë mijëra hektarë pyje dhe po prekin dhjetëra komunitete. Mbi 10 mijë banorë janë evakuuar, ndërsa autoritetet kanë angazhuar të gjitha burimet në dispozicion për të vënë nën kontroll situatën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos