Marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite. SHBA flet për program paqësor, ekspertët ngrenë alarmin

Nga A2 CNN
23 Korrik 2026, 18:30 | Bota

Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite firmosën një marrëveshje të rëndësishme, që do të lejoje mbretërinë e gjirit të zhvillojë një program bërthamor civil.

Departamenti Amerikan i Energjisë e përshkruan ujdinë si bashkëpunim paqësor nuklear, që do ti mundësojë komanive amerikane qasje të konsiderueshme në programin e energjisë bërthamore të sauditëve: “Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Ajo parashikon lehtësimin e shkëmbimit të ekspertizës, njohurive dhe teknologjive, duke kontribuar në thellimin e bashkëpunimit dypalësh në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare për sigurinë bërthamore, mbrojtjen bërthamore dhe mosshpërndarjen e armëve bërthamore”.

Mediat amerikane kanë raportuar se ajo do të lejojë Arabinë Saudite të pasurojë uranium në të ardhmen, që më vonë mund të përdoret si karburant për centralet bërthamore, por edhe për prodhimin e armëve bërthamore. Ekspertët vlerësojnë se kjo  do të përbënte një precedent në politikën e Shteteve të Bashkuara dhe mund të rriste rrezikun e përhapjes së armëve bërthamore në një rajon që tashmë karakterizohet nga paqëndrueshmëri e lartë.  

Presidenti i SHBA, Donald Trump, thuhet se nuk i ka kërkuar liderit saudit, Mohammed bin Salman, që të njohë diplomatikisht Izraelin si kusht për arritjen e marreveshjes.Njoftimi vjen në një kohë kur përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përshkallëzohen.

Arabia Saudite, një aleate prej kohësh e SHBA-së, strehon disa baza ushtarake amerikane, të cilat kanë qenë objektiv i sulmeve iraniane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos