Edhe Mbretëria e Bashkuar po përballet me një stuhi të ftohti. Mediat raportojnë se reshjet e dëborës dhe përmbytjet kanë shkaktuar kaos në udhëtime duke detyruar mbylljen e disa aeroporteve, linjave të hekurudhave dhe rrugëve në mbarë vendin.
Alarme për reshje dëbore, shi dhe akull janë ende në fuqi në pjesën më të madhe të Anglisë veriore dhe Uells. Mbi 260 paralajmërime për përmbytje të mundshme janë lëshuar nga autoritetet britanike.
Kjo situatë emergjente erdhi pasi Mbretëria e Bashkuar përjetoi një fundjavë të mbushur me sasi të mëdha reshjesh dëbore.
Aeroporti i Mançesterit mbylli pistat për 45 minuta këtë mëngjes për shkak të bllokimit nga dëbore.
Autoritetet njoftuan se do të ketë shtyrje në fluturime, ndoshta dhe anulime. Gjithashtu këshilluan udhëtarët që të ndjekin njoftimet lidhur me linjat e trenave. Autoritetet konfirmuan se kjo e dielë ishte më e ftohta e këtij dimri, me temperaturën që shkoi deri në minus 13.3 gradë Celcius. (A2 Televizion)