Qindra mijëra njerëz në rrugë, gaz lotsjellës, topa uji dhe përleshje me policinë. Franca përjetoi një tjetër ditë kaosi, teksa protestat fillimisht paqësore u shndërruan në përplasje të dhunshme në Paris, Marsejë dhe disa qytete të tjera.
Sipas Ministrisë së Brendshme, të paktën 1 mijë persona u arrestuan gjatë protestave në mbarë vendin, ku morën pjesë rreth 410 mijë vetë. Por sindikatat pretendojnë se numri i manifestuesve ishte dy herë më i lartë. Vetëm në periferi të Parisit, në demonstratën kryesore, morën pjesë të paktën 110 mijë qytetarë.
Tensionet shpërthyen pas përfundimit të tubimit. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër një grupi prej rreth 500 të rinjsh me kapuçë, të cilët u shpërndanë vetëm pas ndërhyrjes së forcave të rendit.
Në Marsejë, protestues të rinj u vunë flakën koshave të mbeturinave për të bllokuar rrugët dhe hodhën gurë e shishe drejt policisë. Disa dyqane u plaçkitën, mes tyre edhe dy argjendari. Përplasje u raportuan gjithashtu në Lion, Bordo, Lilë dhe disa qytete të tjera franceze.
Për të parandaluar përsëritjen e dhunës së javës së kaluar, autoritetet mobilizuan 70 mijë policë dhe xhandarë, 10 mijë më shumë se në protestat e mëparshme.
Qendra e Parisit mori pamjen e një qyteti në izolim: dyqanet mbuluan vitrinat me dërrasa, më shumë se 20 stacione metroje u mbyllën, ndërsa Luvri, Muzeu Orsay dhe Opera e Parisit pezulluan aktivitetin për arsye sigurie.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, tha se dhuna ishte më pak intensive se një javë më parë, duke ia atribuar këtë përgatitjeve më të mira të policisë. Ai akuzoi aktivistë të ekstremit të majtë dhe grupe kriminale se po përpiqeshin të nxisnin trazira.
Udhëheqësi i së majtës radikale, Jean-Luc Melenchon, paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë derisa presidenti Emmanuel Macron të reagojë ndaj krizës sociale. (A2 Televizion)